fbpx

Diagnoza e vonuar është një faktor për përkeqësimin e pasojave

04.10.2023

Rritet numri i grave të reja të prekura nga kanceri në gji

Gjithnjë e më shumë pacientë të rinj po preken nga kanceri i gjirit. Kjo sëmundje një nga sëmundjet malinje kryesore tek popullata femërore, por të dhënat në mbarë botën për moshën në të cilën shfaqet janë shqetësuese. Dr. Maja Stojçevska-Çapova, radiologe në Spitalin klinik “Acibadem Sistina”, thotë se nuk ka më kufi për moshën dhe se një nga sfidat më të mëdha sot është se karcinoma po shfaqet gjithnjë e më shumë tek të rinjtë dhe nga ana tjetër për shkak të diagnozës së mëvonshme pasojat janë edhe më të këqija.

“Për fat të keq, rinia nuk paraqet një mbrojtje kundër karcinomës së gjirit. Edhe pse është më pak e zakonshme, sëmundja shfaqet papritur, shpesh diagnostikohet gabimisht dhe diagnoza është e vonuar. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është faktor kyç për trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje, por fatkeqësisht tek gratë e reja shpeshherë nuk paraqitet me karakteristikat klasike radiologjike të malinjitetit”, thotë Dr. Stojçevska-Çapova.

Sipas të dhënave nga CDC në 2017, 11 përqind e karcinomave të gjirit të sapodiagnostikuara në SHBA u zbuluan tek popullata nën moshën 45 vjeçare. Gjysma e numrit të përgjithshëm të vdekjeve si pasojë e kësaj sëmundjeje janë gjithashtu tek popullata nën këtë moshë. Kjo, thotë dr. Stojçevska-Çapova, është një sfidë e jashtëzakonshme në luftën kundër karcinomës së gjirit.

SHKALLA MË E LARTË E VDEKSHMËRISË

“Pavarësisht nga nënlloji molekular i karcinomës ose stadiumi i sëmundjes, gratë e reja nën moshën 40 vjeçare me një tumor që trajtohet në mënyrë kirurgjikale kanë shkallën më të lartë për shfaqjen e recidivave dhe vdekshmëri në krahasim me gratë e moshuara. Kjo është në korrelacion të drejtpërdrejt me format më agresive tipike të sëmundjes si Her+ dhe malignomat e trefishta negative dhe me fazën më të avancuar të sëmundjes gjatë diagnozës”, shpjegon Dr. Stojçevska – Çapova.

Ajo thotë se zakonisht pacientët e rinj të diagnostikuar me karcinomë të gjirit kanë një rrezik të njohur të rritur ose ndonjë gjetje subjektive klinike. Rreth 10 për qind e pacientëve ishin bartës të një mutacioni gjenetik (BRCA), prandaj mjekja beson se zbatimi i skriningut për bartësit e mutacioneve gjenetike mund të mundësojë zbulimin e hershëm të kësaj karcinome.

NUK KA SKRINING PËR TË RINJTË

 90 përqind e mbetur e pacientëve të rinj të diagnostikuar me karcinomë të gjirit nuk kanë një mutacion gjenetik, as histori familjare të sëmundjes ose faktorë të tjerë të njohur të rrezikut.

“Skrining- programet e organizuara zakonisht përfshijnë pacientet mbi 40 vjeç. Për shkak të këtyre arsyeve, numri më i madh i karcinomave të gjirit tek gratë e reja ose deri në 80 për qind, zbulohet gjatë ekzaminimit klinik pas shfaqjes së simptomave të caktuara, për shkak të pranisë së një gunge, që për fat të keq rezulton në një faze iniciale më të lartë gjatë diagnostikimit, ose në 57 për qind të rasteve janë zbuluar në fazën e dytë apo më të lartë, që do të thotë prognozë më e keqe”, thotë Dr. Stojçevska-Çapova. Ajo shpjegon se tek pacientët më të rinj se 30 për qind, simptoma më e zakonshme është në fakt një gungë. Diagnostikimi fillon me një vlerësim ultrazërik. Nëse ultrazëri nuk mund të shpjegojë gjetjen klinike ose nëse vërtetohet ndonjë sëmundje malinje, përfshihet mamografia digjtale dhe rezonanca magnetike, por nuk duhet të jetë metoda e parë e zgjedhjes tek pacientët e rinj, veçanërisht nëse simptoma e vetme është dhimbja”, shpjegon ajo.

KARCINOMA E GJIRIT NË SHTATZËNI

Karcinoma e gjirit  që lidhet me shtatzëni është një sëmundje e diagnostikuar gjatë shtatzënisë, gjatë vitit të parë pas lindjes ose gjatë laktacionit. Sipas të dhënave, tre për qind e totalit të kancereve të gjirit të diagnostikuar ndodhin gjatë kësaj periudhe dhe kanë përmasa më të mëdha. Mjeku thotë se edhe pse është e mundur të shfaqen gunga gjatë laktacionit, për shkak të gjendjes nuk guxon të vonohet puna diagnostikuese.

TRAJTIMI DHE MUNDËSIA PËR TË FITUAR NJË FËMIJË

Trajtimi i karcinomës në gji tek pacientet e reja bëhet me qasje multidisiplinare. Kirurgjia i përfshin mastektominë radikale, ndërhyrjet skin-sparing dhe biopsinë sentinel. Sipas doktoreshës, diskutimi kryesor mbetet rreth çështjes për ruajtjen e fertilitetit tek pacientet e reja, ndërsa sipas shoqatës amerikane për onkologji klinike, vendimi për krioprezervim të oociteve ose embrioneve është i vështirë dhe mund ta prolongojë trajtimin.

Nga ana tjetër, në periudhën e shtatzënisë duhet të marrin vendim edhe më të vështirë – nëse do t’i nënshtrohen trajtimit apo do të kenë një fëmijë. Ekziston gjithashtu një rrezik real nga menopauza e hershme lidhur me trajtimin. Nëse bëhet fjalë për popullatë nën moshën 40 vjeç, rreziku është nga 20 deri në 61 për qind, ndërsa nëse gruaja është mbi 40 vjeç, ai rrezik rritet ose nga 61 deri në 97 për qind. “Pavarësisht nga mundësia për qasje të reja mjekësore për të ndihmuar në ruajtjen e fertilitetit, shumë paciente të rreja luftojnë vendimin midis shëndetit riprodhues dhe rrezikut për shfaqjen e recidivit,” thotë Dr. Stojçevska-Chapova.

PASOJAT PSIKOSOCIALE

Por pacientët që janë të sëmurë dhe i nënshtrohen trajtimit shpesh kanë pasoja psikosociale. Më shpesh ata shqetësohen për pamjen, seksualitetin dhe marrëdhëniet me partnerin. “Në një studim që analizon pacientet e diagnostikuara me karcinomë të gjirit në fazën e parë dhe të dytë nën moshën 50 vjeç, pas trajtimit për një periudhë 3-vjeçare, 70 për qind e të anketuarve tregojnë për shqetësim dhe disfori. Cilësia e jetës, aspektet sociale dhe familjare, mirëqenia emocionale dhe funksionale janë më të ulëta në një mënyrë të dukshme tek popullata më e re”, thotë doktoresha.