fbpx

INTERVISTË ME KRYEINFERMIEREN NË SK “ACIBADEM SISTINA” BILJANA DILEVSKA

11.05.2022

INFERMIERJA ËSHTË THELBI I SISTEMIT SHËNDETËSOR, NË PANDEMINË ME COVID TREGUAM PËRGJEGJËSI DHE PROFESIONALIZËM

sestra dilevska

Infermierët janë hallka kryesore në sistemin shëndetësor, pjesa më e madhe e tyre janë femra, edhe pse këtë profesion ushtrojnë edhe meshkujt. Aktualisht, profesioni po përballet me sfida të shumta, sidomos këtu në vendin tonë ku shpeshherë stafi i arsimuar shkon jashtë vendi, ndërsa infermierët e rinj gjithnjë e më pak po profilizohen. Për të gjitha karakteristikat e profesionit, bukurinë dhe mënyrën se si e ushtrojnë atë, flasim me Biljana Dilevskën, kryeinfermiere në Spitalin klinik “Acibadem Sistina”. 12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, në këtë ditë bota i kushton rëndësi të veçantë këtij profesioni, veçanërisht pas pandemisë së koronavirusit. Me atë rast, Dilevska mori një mirënjohje nga Shoqata e Infermierëve, teknikëve dhe mamive për infermiere më humane në vitin 2020 dhe 2021. Fillimisht flasim për rolin e infermierëve në vend, pandemia theksoi veçanërisht rëndësinë e tyre.

Dilevska: Fillimisht më lejoni t’ua uroj Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve të gjithë kolegëve në vend. Dy vitet e fundit dhe sfida me të cilën bota është përballur me pandeminë nga Covid-19, kanë vërtetuar se infermierët janë thelbi i sistemit të kujdesit shëndetësor. Zgjedhja e profesionit të infermierës nuk nënkupton vetëm tetë orë punë në ditë, por edhe përgjegjësi dhe profesionalizëm 24 orë për 365 ditë në vit. Në përgjithësi kjo ka rëndësi për të gjithë profesionistët e tjerë mjekësorë. Duke zgjedhur këtë profesion, nuk keni bërë përzgjedhjen e jetës se çfarë do të punoni por si do ta jetoni jetën. Kjo flet shumë për përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë duke përfshirë infermierët, si dhe për peshën e profesionit. Mendoj se kushtohet shumë pak rëndësi statusit që kemi ne infermierët në vend, gjegjësisht harrohet dhe theksohet shumë pak rëndësinë dhe kontributin ndaj sistemit shëndetësor, pra edhe për shtetin. Shpresoj që pandemia nga Covid dëshmoi rëndësinë dhe kontributin e punonjësit shëndetësor dhe në një ardhmëri shumë të afërt  që do të nderohet dhe respektohet aq sa e meriton.

Sa persona të rinj duan ta bëjnë pikërisht këtë, sa punonjës kemi në vend, në kushtet kur gjithnjë e më shumë persona të rinj po mendojnë të shkojnë jashtë vendit?

Dilevska: Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë që të rinjtë gjithnjë e më pak vendosin për këtë profesion dhe se është shumë e vështirë të krijohen kuadro të reja, të kualifikuara që janë të nevojshme për një sistem shëndetësor funksional. Të rinjtë nuk duan të zgjedhin një profesion që do t’u diktojë ritmin dhe mënyrën e jetës dhe që në të njëjtën kohë mendojnë se nuk vlerësohet sa duhet, sepse ky është edhe mendimi i përgjithshëm. Sa i përket pyetjes për stafin me të cilin disponon shteti, realisht nuk mund të përgjigjem. Mund të them sa infermierë ka SK “Acibadem Sistina”, por jo edhe numrin e përgjithshëm të infermierëve në vend. Për të pasur atë informacion, numër, profil, përvojë pune, duhet të ketë një organ rregullator në vend, dmth Oda e infermierëve në të cilën mund të regjistrohen infermierët dhe kështu në çdo kohë do të dihet me sa dhe me çfarë kuadro disponon shteti. Sipas mendimit tim është statusi i infermierëve në vendin tonë është i papërcaktuar. Do ta përmend sërish pandeminë nga Covid-19 e cila na mësoi shumë gjëra, duke përfshirë këtu se është e vështirë të organizohet puna kur nuk dimë çka kemi në dispozicion. Përsa i përket daljes jashtë vendit, kjo tendencë ka qenë veçanërisht e theksuar vitet e fundit. Dhe jo vetëm persona të rinj, por edhe infermierë me përvojë, të profilizuara që vështirë mund të zëvendësohen. Nuk behësh infermierë me marrjen e diplomës, infermierja ndërtohet me vite. Bota e ka njohur prej kohësh nevojën për këtë profil dhe vendet në mbarë botën po punojnë për të rekrutuar staf mjekësor. Ne duhet të mësojmë të njohim cilësinë, ta ruajmë dhe të kujdesemi për atë – përndryshe dalja e kuadrove do të vazhdojë, duke paraqitur një kërcënim serioz për efikasitetin e sistemit tonë shëndetësor.

sestra dilevska

Ju jeni kryeinfermiere në Spitalin klinik “Acibadem Sistina”, cila është përvoja atje, si e zhvilloni infermierinë?

Dilevska: Po, unë jam kryeinfermiere e stafit mjekësor sekondar në “Acibadem Sistina” për më shumë se 10 vjet, dhe si një person që ka gati 35 vjet përvojë pune dhe vjen nga institucioni publik shëndetësor në këtë spital, duhet të them se është krejtësisht ndryshe. Falë rregullimit hierarkik në spitalin tonë, respektimit të rëndësisë së stafit mjekësor sekondar nga ana e menaxhmentit të lartë zhvillimi i infermierisë është një dukuri e përditshme. Edukimi i stafit është i përditshëm, mundësia për trajnim është e hapur për çdo punonjës, pjesëmarrja e tyre në krijimin e proceseve të punës dhe marrja e vendimeve në pjesën e infermierëve është dukuri e përditshme. Idetë e tyre për përmirësimin e proceseve, vendosjen e qëllimeve të reja dhe më të larta, ndjekjen dhe arritjen e standardeve më të larta botërore në punën tonë janë vizioni ynë dhe diçka për të cilën punojmë të gjithë së bashku çdo ditë. Çdo punonjës në spitalin tonë ka mundësi për edukim të mëtejshëm, pjesëmarrje në punëtori, seminare, kongrese. Jemi spitali i parë në vend dhe më gjerë që mori vulën e artë nga JCI. Këtë vit na vijon akreditimin e  dytë, të cilin shpresoj ta përfundojmë sërish me sukses. Zbatimi i këtyre standardeve në vitin 2016 në spitalin tonë na veçoi nga institucionet e tjera shëndetësore në vend dhe bëri një ndryshim të madh në mënyrën e qasjes ndaj detyrave të punës, përcaktimin e prioriteteve dhe kujdesin ndaj pacientëve. Me një fjalë, për mua personalisht puna në spitalin tonë është një përvojë e mrekullueshme, bashkëpunimi me kolegët dhe mbështetja e tyre është diçka që më gëzon shumë dhe duhet të them se jam shumë krenare dhe mirënjohëse për stafin tim.

Pse për infermierët e rinj puna në spitalin tuaj duhet të jetë një sfidë?

Dilevska: Të jesh pjesë e spitalit tonë është sfidë jo vetëm për të rinjtë por për të gjithë infermierët. Ka qenë sfidë për mua kur erdha të punoj në “Acibadem Sistina” para 12 vitesh dhe ende është. Të bëhesh anëtar i “Acibadem Sistina” është një shans i dhënë nga spitali. Të mbetesh anëtar i stafit, të arrish diçka në një nivel profesional, të kesh përparim në mënyrë hierarkike është diçka që varet vetëm dhe ekskluzivisht nga vetë punonjësi. Ne jemi një spital që njeh dhe vlerëson cilësinë, që insiston për cilësi në çdo aspekt, në çdo segment të punës dhe që vazhdimisht punon për përmirësimin e stafit, zbatimin e metodave të reja në punë dhe ndjekjen e trendëve më të fundit botërore në mjekësi. Mësimi i gjërave të reja, fitimi i njohurive dhe aftësive të reja nga të gjitha fushat janë përditshmëria jonë.