fbpx

PËR PACIENTËT QË DO TË KENË NEVOJË PËR NDONJË NDËRHYRJE SHTESË KORONAROGRAFIA DO TË JETË FALAS

02.07.2020
Koronarografija Post
Koronarografija Post

Spitali Klinik “Acibadem Sistina” me një mundësi të re për pacientët në departamentin e kardiologjisë. Me këtë risi, pacientëve që gjatë koronarografisë do t’u vërtetohet se kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje shtesë- stentim ose ndonjë ndërhyrje tjetër kardiokirurgjike nuk do të paguajnë koronarografinë e kryer. Gjatë kësaj periudhe kur po përballemi me një pandemi të koronavirusit, me këtë mundësi të re kemi për qëllim që ndërhyrjet kardiologjike në spitalin tonë t’i bëjmë më të disponueshme për pacientët.

Koronarografia jep pasqyrën e gjendjes së arterieve që ushqejnë zemrën

Koronarografia është një procedurë invazive me të cilën vizualizohen arteriet koronare të zemrës duke përdorur një kontrast që injektohet në arteriet. Rekomandohet te pacientët të cilët dyshohet se kanë sëmundje koronare të zemrës. Koronarografia urgjente kryhet te pacientët me një nga format e sindromit akut koronar dhe shenja për infarkt akut të miokardit. Ndërhyrja kryhet në kushte sterile në një sallë të veçantë për angiografi. Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, në 95% të koronarografive qasja bëhet përmes arteries radiale (të krahut), duke siguruar komforin më të madh pacientit gjatë ndërhyrjes dhe mobilizim menjëherë pas kryerjes së procedurës, si dhe më pak komplikime. Procedura zgjat 15 minuta, pas së cilës analizohet incizimi angiografik, vlerësohet shkalla e arteries së ngushtuar, cilësia dhe gjatësia e ngushtimit dhe merret një vendim në varësi të gjetjes.

Në rastet me ngushtim kritik të arterieve, vendoset një stent ose bypass

Nëse rezultatet nga koronarografia tregojnë se nuk ka ngushtime kritike, pacienti merr rekomandime për terapi medikamentoze dhe pas 3 orëve shkon në shtëpi. Nëse ka ngushtime kritike – në më shumë se 60-70 përqind të një ose dy arterieve koronare, procedura vazhdon me ballon- dilatim dhe me vendosjen e stentit me të cilin mundësohet rrjedhja optimale e gjakut nëpër arterien koronare. Në rastet kur koronarografia tregon për një ngushtim kritik të disa arterieve koronare, rekomandohet kirurgji kardiokirugjike ose kirurgji bypass.