fbpx

Ne bëhemi pjesë e jetës së pacientit

06.07.2017

Puna në departamentin e onkologjisë, është një sfidë dhe një përgjegjësi për çdo punonjës. Është e nevojshme që të kesh energji pozitive, përkushtim, dhe profesionalizëm, në punë dhe veçanërisht në takimin dhe komunikimin me pacientët të cilët përballen me diagnozën më të vështirë.   Irena thotë se ky është vendi ku ajo gjen vetveten, është e lumtur dhe krenare që çdo ditë i jepet mundësia për ti ndihmuar dhe për t’iua bërë më të bukur ditën pacientëve të këtij departamenti. Pacientët e duan atë për shkak të qëndrimit të saj dhe energjisë pozitive që ajo përcjell gjatë çdo takimi me ta. Ndërkohë që po i bënim intervistë Irenës, ajo u përshëndet duke u përqafuar me shkrimtaren e njohur Isidora Bjelica e cila nuk u kursye për të thënë se infermierja  Irena është “Engjëlli mbrojtës” i saj.

“Infermierja Irena është vërtetë profesionale në punën e saj. Deri tani asnjëherë nuk më është nxirë dora gjatë shpimit të saj me gjilpërë për marrjen e terapisë. Përveç profesionalizmit të saj, ajo di se sit ë ndikojë psikologjikisht tek çdo pacient, diçka e tillë është vërtetë shumë domethënëse për ne pacientët. Gëzohem në çdo takim tonin të rradhës, ajo është “Engjëlli im mbrojtës” – thotë Bjelica.

Edhe pse thotë se asnjëherë nuk ka menduar të punojë me pacientë të sëmurë me kancer, sot nuk do të dëshironte ta ndryshonte profesionin e saj me një tjetër profesion. Ndihet e përmbushur në çdo moment që kalon me ta, dhe buzëqeshja e tyre për të është shpërblimi më i madh.

Cila është gjëja më e rëndësishme gjatë punës me pacientët e onkologjisë?

Gjëja më e rëndësishme është kontakti i parë infermiere-pacient. Këta janë pacientët të cilët kanë apo  përballen me probleme të vërteta në jetë. Prandaj është shumë i rëndësishëm ai momenti i parë më të cilët do të kontaktosh. Kur fillojnë me marrjen e terapisë janë të frikësuar për faktin se nuk e dine se çfarë i pret gjatë kohës së trajtimit. Ne mundohemi që t’ia lehtësojmë të gjithë procesin dhe t’iu japim forcë dhe kurajo, dhe të bëhemi mbështetja e tyre më e mirë. Gjithmonë jemi të qeshur dhe me entuziazëm, mundohemi që të përciellim sadopak atmosferë pozitive pavarësisht nga gjendja jonë shpirtërore. Kur bëhet fjalëp për sjelljen dhe qëndrimin përballë pacientit, të gjitha problemet private duhet të lihen jashtë që nga momenti i hyrjes në spital. Puna jonë, përveç asaj profesionale, është që të mundohemi që t’ia zbukurojmë pak ditën pacientëve pasi këta pacientë pjesën më të madhe të trajtimit të tyre e kalojnë në departamentin tonë. Interesant është fakti që edhe pasi pacientët të kenë përfunduar trajtimin, komunikimi vazhdon. Ndonjëherë për ti ndarë problemet, për të marrë një këshillë apo për të ndonjë lajm të mirë me ne. ne bëhemi pjesë e jetës së tyre, pjesë e familjes së tyre. 

Si përballesh me historitë e tyre?

Ata janë persona të cilët përballen me sëmundjen më të rëndë në ditët e sotme, dhe është e pamundur që të mos prekesh nga ndonjëra prej këtyre rasteve apo historive të jetës së tyre psi ne kemi pacientë të moshave të ndryshme. Gjithmonë mundohem që ta përmbaj veten,  ti dëgjoj, ti kuptoj dhe në momente të caktuara t’iua largoj vëmendjen nga sëmundja. Bisedojmë për tema të ndryshme, dhe çdo buzëqeshje e “vjedhur” prej tyre si dhe ndonjë gëzim i vogël në sytë e tyre, është një shpërblim tepër i madh për mua, qoftë si person qoftë si infermiere.

Çfarë të motivon në punën tënde?

Pacienti I kënaqur dhe mirënjohës, ky është motivimi ynë më i madh në punë.  Kur mbërrojnë në përfundim të fazës së trajtimit, me rezultate të mira, me lumturi të madhe dhe me padurim presin që ta ndajnë këtë lajm me ty, se ia dolën mbanë dhe sëmundja është zhdukur, vërtetë në ato momente ndjenjave nuk mund t’iu japësh çmim. Na përqafojnë, ndajnë gëzimin e tyre me ne, dhe pikërisht këto janë momentet përse ia vlen që të punosh në këtë profesion. Këto janë miqësi të sinqerta, sepse pacientët e onkologjisë janë pacientët më të sinqertë, ose të pranojnë ose jo. 

Sa e rëndësishme është puna në grup?

Në këtë fushë të mjekësisë puna në grup është shumë e rëndësishme, duke filluar nga doktorët, infermieret dhe ndihmës-mjekët, pasi të gjithë së bashku mundohemi që në një farë mënyre t’iua bëjmë atyre më të lehtë procesin e marrjes së trajtimit. Shpesh i’u bëjmë surpriza të vogla. Të gjithë ne jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe jemi në dispozicion 24 orë, ndonjëherë për ndonjë problem, ndonjëherë thjeshtë për të biseduar.