fbpx

NË “ACIBADEM SISTINA” ËSHTË HAPUR QENDRA E SPECIALIZUAR PËR TRAJTIMIN E FËMIJËVE ME PENGESA NË ZHVILLIM

05.02.2024
AS CentarZaDeca IG FB
AS CentarZaDeca IG FB

Spitali  klinik “Acibadem Sistina” kompletoi ekipin e Qendrës për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të fëmijëve me pengesa në zhvillim. Qendra disponon me të gjitha pajisjet e nevojshme për monitorimin e fëmijëve dhe trajtimin e tyre.  Qendra është e dizajnuar dhe e pajisur në një ambient të këndshëm për fëmijët, me qëllim për të reduktuar stresin dhe shqetësimin e fëmijës dhe shoqëruesit të tij gjatë qëndrimit në spital. Me qasjen multidisiplinare të mjekëve me përvojë bëhen vlerësimet e fëmijës, shqyrtimet e rezultateve të marra duke mundësuar monitorimin e vazhdueshëm të efekteve nga trajtimi.

„ Vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të fëmijëve. Por tek disa fëmijë vërehen disa forma të vonesave gjatë zhvillimit, pra gjendje kur fëmija nuk shënon përparime të përshtatshme për moshën kronologjike dhe për fat të keq numri i këtyre fëmijëve po rritet. Nëse prindërit vërejnë çrregullimin më të vogël në zhvillim dhe kanë dyshime se bëhet fjalë për ndonjë problem zhvillimor,  nëse mendojnë se fëmija i tyre është më i ngadalshëm se të tjerët ose thjesht nuk mund të krahasohet me moshatarët e tjerë, rekomandimi ynë për prindërit është që të kërkojnë ndihmën e një profesionisti. Sa më herët vendoset diagnoza dhe fillon trajtimi aq më shpejtë do të shihet përparimi tek fëmija dhe do të përmirësohet cilësia e jetës së tij”, thotë Prof. Dr. Aneta Demerxhieva, specialiste në pediatri.

QASJE MULTIDISIPLINARE DHE TEKNOLOGJI MË BASHKËKOHORE  

Ekipi i Qendrës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me pengesa në zhvillim përbëhet nga: një pediatër zhvillimor, i cili bën vlerësimin fillestar të çrregullimeve zhvillimore dhe ngre dyshime për ekzaminime të mundshme shtesë pediatrike (skrining metabolik, vlerësim laboratorik, teste gjenetike, veçanërisht tek fëmijët me elementët e regresionit mendor dhe prapambetjes, skrining audiologjik tek fëmijët me probleme në të folurit dhe një seri ekzaminimesh shtesë, në varësi të pasqyrës klinike të pacientit individualisht) dhe dy neurologë pediatër, të cilët bëjnë vlerësimin e gjendjes neurologjike të fëmijës, bëjnë përpunimin neurologjik dhe nëse ka nevojë do të vendosin indikacion për regjistrime shtesë – EEG, rezonancë magnetike, vlerësim laboratorik dhe gjenetik.

Në vlerësimin e fëmijëve me çrregullime në zhvillim janë përfshirë edhe dy edukatorë specialë, të cilët përveç trajtimit defektologjik, kanë përvojë në trajtimet logopedike dhe surdologjike, si dhe në punën me fëmijët me dëmtime në dëgjim, gjegjësisht me fëmijët me amplifikatorë dëgjimi dhe fëmijët me implante kokleare. Një risi në këtë ekip është kyçja e një specialisti të psikiatrisë së fëmijëve, i cili ofron mbështetje psikologjike për fëmijën dhe familjen në të gjitha fazat e zhvillimit, si dhe trajtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe fëmijëve me zhvillim tipik, të cilët për shkak të divorcit, humbjes, sëmundjes tregojnë shenja të dukshme të zhvillimit atipik.

Për sa i përket vonesës së zhvillimit, psikiatri i fëmijëve i trajton fillimet e hershme të çrregullimit obsesiv-kompulsiv, skizofreninë tek fëmijët, fillimin e hershëm të çrregullimeve të të ngrënit (anoreksia, bulimia), modelin e sjelljes vetëdëmtuese tek fëmijët, mungesën e rregullimit emocional, etj. çrregullimet afektive me fillim të hershëm, depresion, ankth, çrregullim afektiv bipolar, etj. Si pjesë e ekipit multidisiplinar që punon në trajtimin e fëmijëve me pengesa në zhvillim janë të përfshirë edhe një psikolog, një fizioterapist dhe një nutricionist. Në këtë mënyrë mbulohen plotësisht të gjitha segmentet e nevojshme për trajtimin e plotë të fëmijëve.

VLERËSIMI I ZHVILLIMIT SIPAS PROTOKOLLEVE TË STANDARDIZUARA

Vlerësimi i procesit zhvillimor dhe çrregullimeve të tij zbatohet sipas procedurave dhe protokolleve të standardizuara, duke përdorur aparatet më të fundit për kryerjen e ekzaminimeve ekografike, neurofiziologjike dhe neuroimazherike. Ekzaminimi eksonografik i sistemit nervor qendror kryhet me një aparat bashkëkohor për diagnostikim ultrasonografik, pasqyrë elektroencefalografike e funksionit të trurit me regjistrim video dhe neurofiziologjik me një aparat video modern- EEG, ndërsa aparati më modern për rezonancë magnetike 3 Tesla mundëson diagnozën e neuroarkitektonikës edhe tek pacientët më të vegjël.