fbpx

Katja Todorovska

30.09.2014

Që në fillim u përballëm me problemin për të mbetur shtatzënë, dhe bashkë me këtë problem filloi dhe tortura për të plotësuar atë ëndërr të cilën çdo njeri e dëshiron – ëndrrën për t’u bërë prind. Për Dr. Slobodan Lazarevski vendosa që të ishte doktori im gjinekolog që në vitin 2007. Meqenëse rrethanat ishin të tilla dhe duhej t’i futeshim rrugës për riprodhim të asistur, e dija që ky ishte vendi i duhur. U ndjeva e sigurt, e dija se Dr. Lazarevski do të gjente një zgjidhje për problemin tonë. Kaluam shumë situata së bashku. Duke filluar që nga intervenimi im i parë deri tek invitroja e parë e cila ndodhi në vitin 2010. Ishim të ngazëlluar, prisnim dhe shpresonim shumë. Pas dy javësh morëm një rezultat pozitiv. Mendova se kjo ishte e gjitha, dhe se ky ishte fundi i luftës. Por nuk mund t’a imagjinoja se në fakt isha tepër larg përmbushjes së dëshirës time. Diku rreth javës së 20-të fillova të ndjeja dhimbje dhe menjëherë shkova për të kryer kontrollin. Lajmi që morëm ishte vërtet zhgënjyes. Doktorët bënë gjithçka, megjithatë pas 7 ditësh kalova momentin më të vështirë të jetës time – humbjen e fëmijës. Traum e cila e ndyshoi jetën tonë përgjithmonë. U kthyem në shtëpi me duart dhe shpirtin bosh. Vijuan muaj të vështirë, nëpërmjet të cilëve mezi arritëm t’i rindërtonim shpirtrat tanë të thyer. Por shpresa filloi të rikthehej ngadalë, si dhe forca filloi nga e para. Gjatë dy viteve të ardhshme vijuan edhe dy invitro të tjera me një test pozitiv shtatzënie, i cili që në javët e para përfundoi në dështim. Pavarësisht nga të gjitha këto lajme të këqija, dhe nga përvojat e mëparshme të vështira, përsëri vendosëm që të mos hiqnim dorë, me kokëfortësi vendosëm që të vazhdonim përpara me shresën se një ditë do të kishte sukses!

Në vitin 2013 erdhi rradha e invitros së katërt. Përsëri me Dr. Slobodan Lazarevskin të kapur dorë për dore i’u futëm një lufte të re. Përsëri dy javë pritje, por këtë rradhë për herë të parë kisha vendosur që rezultatin të mos e merrja personalisht. Prandaj, dërgova bashkëshortin. Mendova se pritja do të ishte më e lehtë në shtëpi sesa në spital. Por nuk ishte… Ra zilja e telefonit… Darko: Beta 281! Një tjetër rezultat pozitiv.

Nuk ka rëndësi se sa herë e kisha përjetuar një gjë të tillë, gjithmonë më qante zemra.

Në kontrollin e parë dëgjuam rrahjen e zemrës së vogël të Katjas. Heroina e vogël tashmë ishte ngjizur. Një lehtësim i vogël, tashmë ishim një hap përpara. Shtatzënia po përparonte, megjithatë frika ishte e pranishme në çdo qelizë të trupit tim. I lutesha Zotit çdo ditë që t’a ruante këtë bebe të vogël. Shtatzënia ishte patologjike edhe pse unë isha krejtësisht e palëvizëshme, gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë u përballa me probleme.

Në javën e 20-të të shtatzënisë, Dr. Slobodan Lazarevski më kaloi në duart e Dr. Gordana Petrovskës si specialiste për shtatzënitë e rrezikshme. E kisha të vështirë të ndahesha nga Dr. Lazarevski, por puna e tij ishte deri këtu.

Takimi i parë me Dr. Gordana Petrovskën ishte i këndshëm dhe pozitiv për mua. Në fund të fundit, rëndësi për mua kishte mardhënia e mirë me doktorin tim. Atë siguri të cilën e ndjeja me Dr. Slobodan Lazarevski, e ndjeva edhe me Dr. Gordana Petrovskën. Diku rreth javës së 22-të u përballa me një problem serioz, për shkak të të cilit ekzistonte mundësia t’a përjetoja përsëri atë ëndërr të keqe, atë makth. Në një mënyrë apo në një tjetër, arritëm t’a kryenim kontrollin e javës së 24 gestionale të shtatzënisë dhe më në fund morëm lajme të mira. Por pikërisht atëherë kur menduam se e kishim kaluar krizën, ndodhi ajo të cilës i trembeshim. Ditë e premte, java e 25-të plus 5 ditë të shtatzënisë, u shtrova në Spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’. Mendova se i erdhi fundi shtatzënisë time… Përsëri do të ndodhte e njejta gjë si herën e parë, përsëri e njejta traum, vetëm disa javë më vonë. Nuk mund t’a besoja se përsëri do t’i nënshtrohesha atij makthi të madh. Tashmë nuk kishte më kthim pas, nuk kishte shpëtim. Fëmija duhej të lindte. Më thanë se mundësia për të mbijetuar foshnja ishte tepër e vogël, megjithatë ekzistonte mundësia. Shpirti im po përjetonte një ferr të vërtetë. Çdo gjë që isha munduar të ndërtoja në shpirtin tim, u rrëzua përsëri. Më dërguan në sallën e lindjes. Darko ishte me mua. Dhimbja brenda meje ishte shumë më e fortë se dhimbja fizike. Nuk kisha fuqi t’a përballoja edhe një herë këtë situatë. Për herë të parë u njohëm me Dr. Simonidha Spasevska. Erdhi për të pyetur nëse jemi mirë, ndërkohë që darko i drejtonte pyetje në lidhje me beben. Ai asnjëherë nuk e humbi shpresën për heroinën tonë e cila po bëhej gati të vintë më herët në këtë botë, dhe që në momentin e parë kishte vendosur t’a fitonte betejën për jetën e saj. Thellë në shpirtin tim kishte shpresa, por të frenuara. Kështu ishte më e lehtë, ishte më e lehtë të mos ushqehesha me shpresa.

Me 4 shkurt të vitit 2014, Katja arriti në javën e 26 gestionale të shtatzënisë. Mezi arrita t’a shikoja, ishte një bebe e vogël ngjyrë mavi. Dr. Simonidha e mbante në duar, ndërsa unë e shtrëngoja dorën e Darkos me të gjithë forcën që kisha. Menjëherë dëgjuam diçka të papritur. Katja me 830 gramët e saj, gjeti forcë të mbushej me frymë dhe të lëshontë një të qarë. Nuk e dija ç’domethënie kishte kjo, nuk e dija çfarë të prisja, nuk dija çfarë të pyesja, prandaj dhe nuk bëra asnjë pyetje. U zgjova nga anestezia, infermierja më vendosi në dorë një rrip të bardhë të gomuar. Më tha: ‘ Edhe vajza jote ka të njejtin rrip në dorë me të njejtin numër’. Mendova… Është gjallë! Këta rripa qëndruan në duart tona edhe për 100 ditë të tjera me rradhë… Dr. Simonidha na e shpjegoi situatën, se çfarë mund të prisnim. Na tha se kjo është një luftë e gjatë dhe e mundimshme dhe e pasigurtë. Në muajt e ardhshëm përjetuam çdo fjalë të saj. Mëngjesin tjetër shkuam për t’a parë Katjan. Kishim disa ndjenja jo të qarta, ndjenja të përziera. Me Darkon u drejtuam drejt kujdesit intenziv neonatal. Tashmë gjithçka më dukej e panjohur dhe e huaj. Sot, aty po ndihesha sin ë shtëpi. Kur na e hapen derën, menjëherë na thanë të lanim duart, të vendosnim maska dhe mantil. Nuk mund të mbushesha me frymë, dhe shikoja si në mjegull ndërmjet lotëve.

Katja ndodhej në inkubatorin e parë në anë të djathtë. Tashmë ishte një bebe e vogël e kuqe. Pothuajse e gjithë fytyra e saj ishte e mbuluar me një aparat (syze) për mbrojtjen e syve. Ishte kaq e vogël. Kishte këmbë dhe duar të vogla dhe të holla. E bashkuar me kabuj, tuba, etj. Nuk besoj se ka prindër të gatshëm për një pamje të tillë të fëmijës së tyre… Sa shumë kohë që po e prisnim këtë bebe të vogël!

Qëndruam shkurt brenda. Nuk kisha fjalë… nuk dija çfarë të thoja… Por, në momentin kur e pashë katjan, kuptova se këtu do të qëndronim shumë gjatë.

Ditët kalonin shumë ngadalë. Çdo ditë e vizitonim Katjan. Çdo ditë që kalonte, akoma më shumë lidheshim me të. Nga njëra anë kishim frikë pasi nuk e denim se çfarë mund të ndodhte, nga ana tjetër, ne ishim prindërit, të cilët prej kohësh e donim dhe e adhuronim këtë bebe e cila ishte gëzimi ynë. Çdo ditë fillonte njësoj, në orën 7 të mëngjesit darko telefononte për të pyetur se si e kishte kaluar natën. Në çdo telefonatë më ngrinte zemra. Telefononim disa here në ditë, pasi e dinim se sa hap e mbyll sytë situate mund të ndryshonte. Nuk e di nëse përgjatë atyre ditëve dhe muajve jeta jonë mund të quhej jetë. E vetmja gjë që bënim quhej ‘pritje’, prisnim informacione positive në lidhje me Katjan.

Kaloi një muaj, dhe gjendja e Katjas ishte më e qëndrueshme, por akoma ishte larg fundit të kësaj lufte. Një mëngjes, ashtu si çdo tjetër mëngjes, qëndrova mbi inkubatorin e Katjas. Hyri Dr. Simonidha. E njihja mjaftueshëm sa për të lexuar në fytyrën e saj nëse sillte ndonjë lajm të keq.

Duktusi i zemrës së vogël të Katjas nuk ishte mbyllur, ilaçet të cilat i ishin dhënë nuk kishin ndihmuar, ka shumë mundësi që të mund të kryhet një intervenim kirurgjik. Fillova të qaja me mosbesim, çfarë tjetër mund të bëja në atë moment. Si mund t’a përballonte këtë operacion një bebe kaq e vogël e cila peshonte vetëm 830 gram?! Asnjëherë nuk kam për t’i harruar fjalët e Dr. Simonidhës , ‘ ka zgjidhje, përderisa ekziston një zgjidhje nuk duhet të shqetësohesh’. Pasi biseduam pak, më qetësoi , nuk e di se si do të mund t’a përballoja të gjithë këtë experiencë po të mos ishte Dr. Simonidha. Ajo ishte dhe vazhdon të jetë ilaçi i shpirtit tim. Në momentet më të vështira gjatë gjithë këtij ferri, kërkova Dr. Simonidhën dhe fjalët e saja. Erdhi dhe dita e kryerjes së operacionit, jeta e Katjas varej nga Prof. Dr. Salis Tadzer, bashkë me jetën e saj, edhe jetët tona. Na tha: ‘ nëse jeni gati, le të fillojmë’! Ne nuk ishim aspak gati, jo vetëm në atë moment,por madje asnjëherë nuk do të ishim. Megjithatë, kishte vetëm një rrugë, operacioni duhej të kryhej. Të gjithë hyrën brenda, ndërsa ne qëndronim para derës. Thoja brenda vetes, sot nuk do të jetë dita e fundit që do t’a shoh Katjan, dhe kështu ishte. Duart e arta të Prof. Dr. Salis Tadzer, së bashku me guximin e heroinës së vogël, mundësuan që operacioni të kishte sukses. Dr. Simonidha Spasevska bashkë me infermieren Milena, na pritën me një buzëqeshje të gjërë. Katja po na priste zgjuar me sytë e saj gjysëm të hapur. Doja vetëm t’a përqafoja pa fund. Por e vetmja gjë që mund të bënim ishte t’i gëzoheshim këtij momenti para inkubatorit. Dalë ngadalë Katja filloi të rritej dhe të shtonte peshë. Gjëja më e vështirë pas operacionit ishte që Katja të mësonte të merrte frymë vetë. Kjo ishte një rrugë e cila dukej se kurrë nuk po i vinte fundi. Ngadalë, pas shumë muajsh të kaluara me tub, Katja më në fund mësoi të merrte frymë vetë. Po afrohej fundi i qëndrimit të Katjas në ‘Acibadem Sistina’. Një ditë pas vizitës së Katjas, si gjithmonë shkova për të takuar Dr. Simonidha e cila po më priste me një lajm të mirë, më tha: ‘ Nesër eja rreth orës 12:00, duam që t’a marrësh Katjan në krahë’. Momenti i shumpritur, moment të cilin për vite të tëra e kisha pritur me kaq durim, veçanërisht kur lindi Katja, – të mund t’a përqafoja foshnjën time. Dita që vijonte ishte 23 prilli. U mblodhëm të gjithë tepër të gëzuar, më në fund, mbërriti dhe ky moment. Dr. Simonidha dhe infermierja Milena e mbështollën ngadalë Katjan, e nxorën nga inkubatori dhe ma dhanë në krahë. Për herë të parë mes nesh nuk kishte më xham, e përqafova dhe gjatë gjithë kohës pyesja mos ndoshta po bëja diçka që nuk duhej, nga frika mos e lëndoja. Ishte kaq e çuditshme t’a shikoja të mbështjellë dhe në krahët e mi. Ishte e pabesueshme! Më në fund po përqafoja beben time, një moment të cilin kurrë nuk kam për t’a harruar! Erdhi dhe momenti kur Katja tashmë duhej të vinte në shtëpi, 14 maj, 2014. Ishim të hutuar dhe të frikësuar pafund. Dolëm të përlotur, e kisha të vështirë të ndahesha nga të gjithë, e dija që do të më mungonin. Ishte pothuajse një ëndërr! Pasi kishte kaluar 100 ditë në kujdesin intenziv në ‘Acibadem Sistina’, më në fund erdhi dhe momenti kur Katja do të vinte në shtëpinë e saj të vërtetë. Momentet e para në shtëpi ishin të mbushura me gëzim, lumturi dhe frikë. Tani ne duhet të ishim sytë dhe duart e doktorëve dhe infermiereve. Koha po kalonte, megjithatë ne shumë shpejtë u mësuam me çdo gjë. I gëzohemi çdo momenti, frika u zhduk ngadalë dhe tashmë u bënë 4 muaj që Katja ndodhet në shtëpi. Është 7 muajshe dhe peshon 5 kg. Ajo është buzëqeshja jonë më e madhe, një bebe e gëzuar e cila i ngroh çdo ditë zemrat tona. Unë jam një nënë krenare, e dashuruar në foshnjën e saj. Ne jemi prindërit krenarë të heroinës tonë të vogël.

Nëna, prindër dhe të gjithë ju të cilët ndodheni në një situatë të ngjashme me tonën…

Fillimisht ju uroj gëzim dhe një fund të lumtur. Besoni tek të vegjëlit tuaj, vërtetë janë shumë më të fortë nga ç’duken. Besoni tek doktorët tuaj, ata do të bëjnë gjithçka që ju të ktheheni të sigurt në shtëpi. Tregohuni të fortë. Nuk ka fjalë të shkruara të cilat mund të shprehin mirënjohjen tonë për të gjithë ekipin e doktorëve të Spitalit klinik ‘Acibadem Sistina’. Dr. Slobodan Lazarevski, ju falenderoj për të gjitha betejat të cilat dhe ju i keni kaluar bashkë me ne, faleminderit të gjitha infermiereve të departamentit për riprodhim të asistuar, faleminderit ekipit të embriologëve, për të gjitha këto vite të kaluara tek ju duke u ndjerë si në shtëpi. Falenderoj përzemersisht Dr. Gordana Petrovskën, për ekspertizën dhe kujdesin që ka treguar për ardhjen e Katjas në këtë botë. Dr. Simonidha Spasevska, juve nuk di si t’ju falenderoj, për të gjithë përkushtimin dhe kujdesin prindëror që keni treguar kundrejt Katjas, për profesionalizmin dhe mbështetjen tuaj, për forcën që na dhatë për t’a kapërcyer këtë përvojë të pakëndshme. Ju do të jeni përgjithmonë pjesë e jetës së Katjas..

Falenderojmë pa masë të gjithë ekipin e neanatologëve në ‘Acibadem Sistina’, Dr. Aleksandar Sajkovski, Dr. Antoni Hristovski, Dr. Dushko Fidanovski, Dr. Stanka Tanceva, Dr. Svetlana Krstevska dhe Dr. Drasko Dimeski. Një falenderim të veçantë për Prof. Dr. Salis Tadzer, i cili bëri të mundur shërimin e zemrës së vogël të Katjas.

E gjithë kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa praninë e infermjereve Meri, Milena, Tina, Vesna, Suze dhe të tjerë. Ju falenderojmë dhe juve për kujdesin e përditshëm që keni treguar kundrejtë Katjas, dhe ngushëllimin gjatë gjithë momenteve të vështira.

Të gjithë ju, sëbashku, jeni familja jonë e madhe përgjithmonë!

Me dashuri, respekt dhe mirënjohje të pafundë,

Katja, Marina dhe Darko Todorovski