Ministria e Shëndetësisë dhe Spitali Klinik “Acibadem Sistina” sot nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe disponueshmërisë së shërbimeve shëndetësore në institucionet publike shëndetësore.
Me këtë dokument vendoset një kornizë për mbështetje të ndërsjellë, e cila mundëson përfshirjen e stafit mjekësor nga Spitali Klinik “Acibadem Sistina” në institucionet publike shëndetësore, veçanërisht në situata me nevoja të shtuara, mungesë të stafit ose kërkesa të tjera prioritare shëndetësore.
Në takimin me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, u diskutua për një sërë iniciativash për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen shëndetësore në interes të qytetarëve, sidomos për trajtimin e rasteve urgjente, të cilat aktualisht paraqesin problem organizativ në funksionimin e spitaleve private. Në takim u theksua gjithashtu problemi real me mungesën e stafit mjekësor si arsye për shtyrjen e ndërhyrjeve në shëndetësinë publike, në një kohë kur i njëjti staf shëndetësor në institucionet publike ofron shërbime shëndetësore në spitalet private, duke krijuar kështu lista të gjata pritjeje.
Sipas Memorandumit, Ministria e Shëndetësisë obligohet të identifikojë institucionet publike shëndetësore me nevojë për staf shtesë, të sigurojë mbështetje administrative dhe juridike, si dhe të koordinojë bashkëpunimin. Nga ana tjetër, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” do të sigurojë staf shëndetësor të kualifikuar, i cili do të angazhohet sipas kushteve të përcaktuara dhe standardeve më të larta profesionale.
Ky lloj mbështetjeje dhe bashkëpunimi i ndërsjellë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të përbashkët drejt një funksionimi më të mirë të sistemit shëndetësor dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore të shpejta dhe cilësore për qytetarët.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.