NDËRHYRJA TAVI – ZËVENDËSIMI I VALVULËS SË AORTËS PA OPERACION NË “ACIBADEM SISTINA”

15.11.2024

Ekipi kardiologjik i Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” ofron trajtim të suksesshëm për të gjitha sëmundjet kardiologjike, duke përfshirë trajtimin e stenozës aortale. Ekipit kardiologjik i është bashkuar Dr. Igor Balevski, një kardiolog eminent me më shumë se 25 vjet përvojë në fushën e kardiologjisë intervente. Dr. Balevski është një ekspert i trajnuar në mënyrë të avancuar në realizimin e ndërhyrjeve komplekse, siç janë procedurat TAVI dhe ndërhyrjet në arterien kryesore koronare të majtë.

“Më parë, stenoza aortale trajtohej vetëm në mënyrë kirurgjikale përmes hapjes së kraharorit për të realizuar zëvendësimin e plotë të valvulës me një protezë mekanike ose biologjike të përshtatshme. Gjatë njëzet viteve të fundit është zhvilluar një metodë e re, e cila trajton këtë sëmundje përmes një qasjeje intervente, ose siç njihet ndryshe, ndërhyrja TAVI. Kjo do të thotë një qasje më pak invazive, ku valvula artificiale vendoset pa bërë prerje të kraharorit, me ndihmën e një sistemi të sofistikuar për kateterizim, dhe zakonisht realizohet përmes arterieve të ijëve. Përfitimet kryesore të kësaj procedure janë: qëndrimi më i shkurtër në spital, rikuperimi më i shpejtë pas procedurës, si dhe zvogëlimi i rrezikut për rezultat fatal dhe goditje në tru," thotë Dr. Igor Balevski.

CILAT JANË SIMPTOMAT E STENOZËS SË AORTËS DHE SI TË ZBULOHET?

Stenoza e aortës ose ngushtimi i valvulës aortale është një sëmundje kronike që paraqet një pengesë në rrjedhjen e gjakut nga zemra në të gjitha organet e trupit. Simptomat më të zakonshme të stenozës së aortës përfshijnë marramendjen dhe humbjen e vetëdijes, ndjenjën e mbytjes, dhimbjen e kraharorit, palpitacionet; ndërsa tek fëmijët karakterizohet gjithashtu nga mungesa e oreksit dhe shtimi i pamjaftueshëm në peshë. Metoda kryesore për vendosjen e diagnozës është ekokardiografia, por nëse është e nevojshme, mund të kryhen edhe ekzaminime shtesë (TEE - ekokardiografia transezofageale, ekokardiografia e stresit me dobutaminë, tomografia e kompjuterizuar e valvulës dhe aortës)

VENDIMI PËR LLOJIN E TRAJTIMIT ËSHTË MULTIDISIPLINAR

Vendimi për atë se cila metodë do të përdoret është multidisiplinar. Formohet ekipi i zemrës, i njohur si “Heart Team”, i përbërë nga kardiologë interventë, kardiokirurgë, specialistë të imazherisë kardiovaskulare, kardiologu ordinues, kardioanesteziologë, elektrofiziologë, specialistë për insuficiencë kardiake, si dhe profesionistë të tjerë të cilët do të përfshihen në procedurën dhe do të kujdesen për shërimin e mëtejshëm të pacientit, si punonjës social.

“Vendimi përfundimtar për t'iu nënshtruar një procedure merret nga pacienti në bashkëpunim me mjekët që ofrojnë trajtimin. Kirurgjia vazhdon të zërë një pjesë të konsiderueshme të trajtimit të stenozës së aortës, por ndërhyrjet TAVI tashmë përbëjnë 60% të të gjitha ndërhyrjeve për këtë diagnozë. Përmes vendimeve të ekipit multidisiplinar, këto dy opsione trajtimi do të plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk do ta përjashtojnë njëra-tjetrën," shpjegon Dr. Balevski.

SI KRYHET NDËRHYRJA TAVI?

Qasja transfemorale është metoda më e përdorur për kryerjen e ndërhyrjes TAVI, përmes së cilës, me anë të kateterave, valvula drejtohet në aortë përmes enëve të gjakut të ijëve. I gjithë procesi kryhet nën kontrollin e rëntgenit. Pas vendosjes së valvulës, realizohen regjistrime të përshtatshme të rëntgenit. Pas heqjes së kateterave nga ijët, kryhet hemostaza ose ndalimi i gjakderdhjes lokale. Vendosen fasha dhe pacienti transferohet për monitorim në kujdes intensiv.

“Nga përvoja e deritanishme, valvula mbetet në gjendje të mirë për 6 deri në 7 vite pas vendosjes. Më pas, një opsion tjetër është trajtimi i valvulës së ringushtuar TAVI me procedurën e quajtur VIV (Valve in Valve), e cila ka disa modalitete. Një valvulë mund të vendoset brenda një valvule të mëparshme TAVI ose brenda një valvule biologjike të vendosur më parë me operacion klasik," thotë Dr. Balevski.

Rekomandimi për marrjen e barnave pas ndërhyrjes TAVI është përdorimi i dozës së ulët të aspirinës, 81 mg, e cila merret si terapi gjatë gjithë jetës. Kjo është e nevojshme nëse pacienti nuk ka marrë më parë terapi antikoagulante orale. Nëse bëhet fjalë për një rast ku pacienti tashmë është në terapi antikoagulante orale (OAT), shtohet aspirina në doza të ulëta, por gjithmonë duke vlerësuar rrezikun e gjakderdhjes.

CILAT JANË PËRFITIMET E PROCEDURËS?

Pas ndërhyrjes, simptomat si dhimbja e gjoksit, marramendja dhe lodhja pritet të reduktohen ose të zhduken. Pacientët përjetojnë një shëndet më të mirë mendor, me një rrezik më të ulët për dobësi të zemrës dhe goditje në tru. Një nga përfitimet kryesore është se pacientët rikuperohen në një periudhë më të shkurtër krahasuar me operacionin klasik. Periudha e rikuperimit varet nga gjendja fizike e pacientit dhe nga rrjedha e vetë procedurës. Zakonisht, kjo zgjat disa ditë. Për disa raste të përzgjedhura në qendra të ndryshme, pacientët mund të lëshohen brenda të njëjtës ditë, gjë që është më e rrallë, por gjithnjë e më shumë qendra i lëshojnë pacientët gjatë ditës së nesërme.

CILAT JANË RREZIQET?

Sigurisht, ka rreziqe që mund të ndodhin gjatë kësaj ndërhyrjeje, të cilat përfshijnë ritmin e çrregullt të zemrës ose bllokime të caktuara që trajtohen me implantimin e një pejsmejkeri, goditje në tru periprocedurale dhe gjakderdhje më të madhe. Komplikimet më të zakonshme përfshijnë: sulm në zemër, dështim akut të veshkave (zakonisht pak pas kryerjes së procedurës), endokardit, vdekje. Raste të rralla kërkojnë konvertimin e procedurës në operacion klasik si pasojë e një komplikimi periprocedural.

 

Copyright © 2024 Developed by Unet All rights reserved.