Spitali Klinik “Acibadem Sistina” është fitues i mirënjohjes prestigjioze “Biznes Lider 2026” për të dytin vit në radhë, në kategorinë “Veprimtaria spitalore”, duke konfirmuar edhe një herë pozitën e tij udhëheqëse në sektorin e shëndetësisë, si dhe suksesin në zhvillimin e vazhdueshëm, investimet dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore.
Mirënjohja u nda në edicionin e tretë të ngjarjes prestigjioze të biznesit “Biznes Lider 2026”, e cila u mbajt në Filarmoninë Maqedonase, në prani të përfaqësuesve të kompanive më të suksesshme, liderëve të biznesit dhe vendimmarrësve të rëndësishëm ekonomikë në vend.
Çmimin në emër të Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” e pranoi Dr. Sevim Shuekinci, Mr.Sci, drejtor ekzekutiv i spitalit, i cili theksoi se suksesi i vazhdueshëm është rezultat i një vizioni të qartë, investimeve strategjike dhe, mbi të gjitha, përkushtimit të ekipit mjekësor dhe administrativ.
“Të jesh i njohur si lider për të dytin vit radhazi është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi për të vazhduar të vendosim standarde të reja në kujdesin shëndetësor. Vlera jonë më e madhe janë njerëzit – ekipi që, me njohuritë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, çdo ditë e dëshmon se e meriton besimin e pacientëve. Ky vlerësim është një motiv shtesë për të vazhduar investimet në teknologji moderne, arritje të reja mjekësore dhe shërbime që bëjnë një ndryshim të vërtetë në jetën e pacientëve”, theksoi Dr. Shuekinci.
Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe Valentina Dimovska, zëvendësdrejtore ekzekutive e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”, e cila ndau mirënjohje për disa nga kompanitë e vlerësuara.
“Biznes Lider 2026” përfaqëson një platformë të rëndësishme për promovimin e suksesit në biznes, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja. Ngjarja përfshiu analiza ekonomike, diskutime në panel dhe ndarjen solemne të mirënjohjeve në disa kategori, ndër të cilat kompanitë më të suksesshme sipas vlerësimit të aftësisë kreditore, kompanitë me rritjen më të shpejtë, kompanitë e suksesshme sipas industrive dhe qyteteve, si dhe gratë lidere.
Përzgjedhja e fituesve bazohet në tregues objektivë ekonomikë dhe kritere të përcaktuara qartë, të cilat përfshijnë të ardhurat, përfitueshmërinë, rritjen, numrin e të punësuarve dhe stabilitetin financiar. Analizat dhe renditjen i realizon “Biznes Mrezha”, platformë e inteligjencës së biznesit e agjencisë për vlerësimin e aftësisë kreditore “Target Group”.
Me fitimin e titullit “Biznes Lider” për të dytin vit në radhë, “Acibadem Sistina” e forcon edhe më tej pozitën e saj ndër kompanitë më të suksesshme në Maqedoni, duke dëshmuar se suksesi afatgjatë ndërtohet përmes inovacionit, përsosmërisë profesionale dhe përkushtimit të vazhdueshëm ndaj pacientëve.
Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.