Për ditëlindjen e saj të parë, Rita u kthye përsëri në vendin ku nisi luftën më të madhe të jetës së saj, në Departamentin e Kujdesit Intensiv Neonatal. Por këtë herë jo si paciente, por si një vogëlushe e buzëqeshur dhe e lumtur, e cila me praninë e saj rikujtoi një nga fitoret më të mëdha të ekipit që u kujdes për të.
Ditëlindjen e festoi me prindërit e saj, por edhe me mjekët dhe infermieret me të cilët kaloi tre muajt e parë të jetës, njerëzit që, në çastet më të vështira, ishin vazhdimisht pranë saj dhe familjes së saj.
Për prindërit e Ritës, ky ishte një takim i mbushur me gëzim të jashtëzakonshëm, por edhe me emocione të forta. Ata thonë se do ta kujtojnë përgjithmonë kujdesin, mbështetjen dhe përkushtimin e të gjithë ekipit mjekësor, i cili në ditët e para dhe më të pasigurta të jetës së vajzës së tyre luftoi së bashku me të.
Rrëfimi i Ritës filloi më herët nga sa pritej. Ajo lindi në javën e 24-të të shtatzënisë, me një peshë prej vetëm 610 gramësh, në kufijtë e mundësive të neonatologjisë bashkëkohore. Shumë e vogël dhe e brishtë, por me një dëshirë të jashtëzakonshme për të jetuar, Rita që me frymën e parë dëshmoi se ishte një luftëtare e madhe.
Vijuan 96 ditë trajtimi në Departamentin e Kujdesit Intensiv Neonatal në “Acibadem Sistina”. Ishin ditë plot pasiguri për prindërit e saj, por edhe ditë lufte të vazhdueshme, kujdesi dhe shprese për ekipin mjekësor.
Rita duhej të kapërcente të gjitha sfidat shëndetësore karakteristike për foshnjat e lindura para kohe. Mushkëritë e papjekura kërkuan mbështetje respiratore dhe oksigjenoterapi, ndërsa gjatë trajtimit ajo u përball edhe me hemorragji cerebrale të shkallës së dytë, vështirësi në të ushqyer, probleme me rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe një formë të rëndë të retinopatisë, e cila kërkoi trajtim.
Megjithatë, me çdo ditë të re, Rita bënte nga një hap të vogël, por të rëndësishëm përpara.
Çdo frymë që merrte vetë ishte një fitore për ne. Çdo gram i shtuar ishte një arsye për t’u gëzuar. Sa herë që pinte qumësht, kjo ishte një tjetër shenjë se kjo vajzë e vogël nuk dorëzohej.
Pas tre muajsh trajtim intensiv, lufte dhe kujdesi, Rita doli nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore dhe u kthye në shtëpinë e saj, në krahët e prindërve.
Pas daljes nga spitali, në shtëpi nisi një periudhë e re: muaj të tërë monitorimi të kujdesshëm të rritjes dhe zhvillimit të saj, kapërcimit të vështirësive që lidhen me të ushqyerit, ekzaminimeve shtesë dhe procedurave të tjera korrigjuese e terapeutike.
Për shëndetin dhe zhvillimin e saj u kujdes një ekip multidisiplinar i Departamentit të Pediatrisë në “Acibadem Sistina”. Rita e fitoi edhe këtë betejë.
Sot, një vit më vonë, kjo luftëtare e vogël peshon rreth 6 kilogramë, ka rritje dhe zhvillim normal dhe, sipas mjekëve, nuk mbetet prapa në zhvillim krahasuar me bashkëmoshatarët e saj të lindur në termin e parashikuar. Buzëqeshja dhe gëzimi i saj janë edhe sot dëshmia më e bukur e rrugës që ka përshkuar.
“Rita ka lindur para kohe, në javën e 24-të të shtatzënisë, me një peshë prej vetëm 610 gramësh, gjë që e bën foshnjën më të vogël dhe më të papjekur të lindur në spitalin tonë, por edhe një nga foshnjat e lindura para kohe që kanë mbijetuar. Gjatë qëndrimit 96-ditor në Departamentin e Kujdesit Intensiv Neonatal, ajo u përball me një sërë sfidash dhe problemesh shëndetësore. Falë dëshirës së saj për të luftuar dhe për të jetuar, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të të gjithë personelit mjekësor, ajo i kapërceu me sukses të gjitha këto sfida”, thotë Prim. Dr. Shk. Dushko Fidanovski, specialist i pediatrisë, i cili u kujdes për Ritën.
Ai shton se gëzimi është edhe më i madh sot, kur rezultatet e luftës së tyre të përbashkët shihen te një fëmijë i shëndetshëm dhe i lumtur.
“Rita tani është 1 vjeçe, peshon rreth 6 kilogramë dhe deri më tani ka pasur rritje dhe zhvillim normal. Buzëqeshja dhe gëzimi i saj, si dhe kënaqësia e prindërve që shohim gjatë kontrolleve të rregullta në spitalin tonë, janë treguesi më i mirë se ajo është një fëmijë i shëndetshëm dhe na japin shpresë për një të ardhme të bukur. Ajo ishte një nga sfidat më të mëdha profesionale, ndërsa suksesi i trajtimit dhe gjendja e saj e tanishme mbeten një motivim i madh dhe frymëzim në punën tonë të përditshme me pacientët më të vegjël”, thotë Dr. Fidanovski.
Për prindërit, kthimi në spital pas një viti zgjon kujtime nga ditët kur çdo telefonatë, çdo informacion nga mjekët dhe çdo ditë e re sillnin me vete frikë dhe shpresë. Në ditët e para, ata nuk patën mundësi ta merrnin vajzën e tyre në shtëpi dhe as ta përjetonin fillimin e prindërimit ashtu siç e kishin imagjinuar.
Prandaj, siç thonë ata, mjekët dhe infermierët ishin mbështetja e tyre më e madhe, ndërsa për Ritën ishin njerëzit që kujdeseshin për të çdo ditë, kur ajo ishte ende shumë e vogël. Mirënjohja e tyre ndaj ekipit që luftoi për jetën e Ritës është e pafundme.
Sot, frika e atyre 96 ditëve është zëvendësuar me shqetësime të tjera të zakonshme prindërore, me të qeshurat e fëmijës, rritjen e saj, lëvizjet e reja, tingujt e rinj dhe përqafimet e panumërta.
Rrëfimi i saj është një kujtesë se pas çdo numri, çdo diagnoze dhe çdo prognoze të rëndë, ekziston një jetë për të cilën ia vlen të luftosh. Ndërsa Rita na tregoi edhe një herë se, ndonjëherë, luftëtarët më të vegjël shkruajnë rrëfimet më të mëdha.
Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.