PËR HERË TË PARË NË “ACIBADEM SISTINA” TRAJTOHET ME SUKSES NJË LEZION SEKONDAR NË TRU ME RADIOKIRURGJI STEREOTAKTIKE

PËR HERË TË PARË NË “ACIBADEM SISTINA” TRAJTOHET ME SUKSES NJË LEZION SEKONDAR NË TRU ME RADIOKIRURGJI STEREOTAKTIKE

23.03.2026

Për herë të parë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” është trajtuar me sukses një lezion sekondar i vetëm në tru tek një paciente 68-vjeçare, duke përdorur radiokirurgjinë stereotaktike (SRS), një nga metodat më bashkëkohore që mundësohet nga akceleratori linear TrueBeam. Qëllimi kryesor i kësaj metode është shkatërrimi preciz i tumorit, me efekte minimale anësore dhe mbrojtje të indeve të shëndetshme përreth. Me këtë, Qendra për Onkologji dhe Radioterapi në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” bëhet qendra e parë dhe e vetme në vend ku aplikohen radiokirurgjia dhe radioterapia stereotaktike në trajtimin e pacientëve onkologjikë.
 
“Te pacientja 68-vjeçare u krye reriadiacion me aplikimin e radiokirurgjisë stereotaktike (SRS), përkatësisht rrezatim me precizion të lartë në tru që vepron si ‘operacion pa thikë’. Kjo metodë në disa raste mund të zëvendësojë ndërhyrjen kirurgjikale te sëmundjet malinje dhe disa sëmundje beninje. Me këto teknika, doza e rrezatimit është maksimalisht e përqendruar në tumor, ndërsa ndikimi mbi indet e shëndetshme është minimal, gjë që në mënyrë të konsiderueshme zvogëlon efektet e padëshiruara”, shpjegon Prof. Dr. Deva Petrova, specialiste në onkologji dhe radioterapi.
 
Doc. Dr. Milenko Kostov, specialist në neurokirurgji, thekson se ndryshimi kishte përmasa shumë të vogla, por ishte i lokalizuar në struktura të thella të trurit, gjë që e bënte të vështirë për t’u arritur me ndërhyrje kirurgjikale konvencionale. Për këtë arsye, me një qasje multidisiplinare u zgjodh radiokirurgjia si zgjidhja më e sigurt dhe më efikase për pacienten.
 
Me instalimin e akceleratorit të ri linear TrueBeam në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, pacientëve u janë vënë në dispozicion teknikat më bashkëkohore të radioterapisë. Radiokirurgjia stereotaktike (SRS) përfaqëson një metodë të avancuar që përdor doza rrezatimi të drejtuara me precizion të lartë për trajtimin e tumoreve dhe gjendjeve të tjera të trurit, të shtyllës kurrizore, si dhe SBRT për pjesët e tjera të trupit. Dr. Petrova thekson se me akceleratorin linear TrueBeam, përveç teknikave SRS dhe SBRT, përdoren edhe teknikat e rrezatimit të gjirit në inspirim të thellë DIBH (Deep Inspiration Breath Hold), si dhe rrezatimi i tumoreve të mushkërive me kontroll të frymëmarrjes. Doza e lartë e rrezatimit, e cila drejtohet drejtpërdrejt në volumin e synuar, çon në zvogëlimin e tumorit dhe kontrollin e rritjes së tij.
 
Në krahasim me kirurgjinë tradicionale ose metodat standarde të radioterapisë, radiokirurgjia zakonisht sjell rrezik më të ulët të efekteve anësore dhe mundëson një periudhë më të shkurtër rikuperimi. Përfitimi më i madh është se kjo metodë është jo-invazive dhe, në shumë raste, mund të jetë po aq efektive sa trajtimi kirurgjik.

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.