Acibadem Sistina

PAS 96 DITËSH LUFTË, FOSHNJA MË E VOGËL E LINDUR NË “ACIBADEM SISTINA” PO SHKON NË SHTËPI

20.11.2025

 Heroina jonë e vogël, Rita, e lindur në javën e 24-t të shtatzënisë me vetëm 610 gram peshë, së bashku me ekipin e Departamentit të Kujdesit Intensiv Neonatal, e fituan betejën më të rëndësishme të jetës. Pas 96 ditësh luftë të përditshme me të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohen të porsalindurit para kohe, ajo më në fund u kthye në shtëpinë e saj të vërtetë – në përqafimin e prindërve që me padurim e prisnin këtë moment.

Kjo vajzë e vogël, e cila peshonte vetëm 610 gram – më e vogël se një pëllëmbë dore – kishte forcë më të madhe se çdo imagjinatë jonë. E lindur me peshë dhe moshë gestacionale në kufijtë e së pamundurës, ajo që në sekondat e para filloi betejën më të vështirë të jetës.

Por pikërisht në ato momente të pasigurisë më të madhe lind edhe shpresa më e fortë. Rita e vogël, hap pas hapi, e mposhti pasigurinë. Ajo u përball, mbijetoi dhe u bë bebja më e vogël e lindur gjallë në “Acibadem Sistina” dhe njëra ndër më të voglat në vendin tonë – dëshmi se nganjëherë fuqia e jetës e tejkalon edhe atë që mjekësia e konsideron të pamundur.

 “Rita na tregoi dhe na dëshmoi se ia vlejtën të gjitha përpjekjet, përkushtimi, profesionalizmi dhe njohuria e investuar nga ekipi i mjekëve dhe infermierëve të këtij departamenti. Ajo kaloi 96 ditë tek ne, prej të cilave gati një muaj mori frymë me ndihmën e aparateve respiratore, ndërsa për dy muaj pati nevojë për oksigjen. Gëzoheshim për çdo frymë të saj, çdo gram të fituar, çdo gllënjkë më shumë të qumështit të nënës, e frikësoheshim sa herë që parametrat e saj jetësorë nuk ishin të qëndrueshëm. Për mua personalisht, pas 37 viteve pune dhe përkushtim në problemet e të porsalindurve para kohe dhe pas shumë historive të suksesshme, por edhe disa, për fat të keq, më pak të suksesshme, Rita përfaqëson historinë time më të suksesshme dhe kulmin e karrierës sime, si dhe dëshmi se asgjë nuk është e pamundur”, shpjegon Prim. Dr. Shkenc. Mjek. Duhsko Fidanovski, specialist në pediatri dhe mjeku i parë që qëndroi pranë saj.

Por luftëtarja e vogël Rita ia doli. Ajo i kaloi të gjitha komplikimet dhe tregoi një dëshirë për jetë që frymëzon. Në ditën e daljes nga spitali, që përkoi edhe me Ditën Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe, prindërit mezi i mbanin lotët nga gëzimi. Me fjalë të sinqerta falënderimi iu drejtuan të gjithë mjekëve dhe infermierëve që çdo ditë luftonin për fëmijën e tyre.

“Mirënjohja jonë është me të vërtetë e pamasë për të gjithë mjekët dhe infermierët që me dashuri, durim dhe profesionalizëm u kujdesën për mrekullinë tonë të vogël. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj Dr. Fidanovskit, i cili dha zemër dhe dije të madhe që Rita jonë ta ndjejë dhe të na e dhurojë dashurinë më të pastër – atë prindërore”, rrëfen nëna e Ritës.

Ajo shpreh gjithashtu mirënjohje të thellë për gjinekologun e saj, Dr. Slobodan Drakulevski – mjekun që e udhëhoqi gjatë gjithë shtatzënisë dhe që e lindi me përkushtimin më të madh. Ajo shpreh falënderim të sinqertë edhe ndaj Dr. Mladen Risteskit, i cili ishte në detyrë mbrëmjen e pranimit dhe bëri gjithçka për t’i lehtësuar dhimbjet e saj. Por, pasi dhimbjet nuk pushuan, e vetmja mundësi ishte transferimi urgjent në sallën e lindjes, ku Dr. Drakullevski e kreu ndërhyrjen dhe mundësoi ardhjen në jetë të Ritës.

 “Asnjë prind nuk është i përgatitur për një situatë të tillë, por kur ndodh – e vetmja gjë që mbetet është të luftosh. Frika ishte e madhe, pasiguria edhe më e madhe, por e dinim që ishim në duar të sigurta dhe se do të qëndronim këtu deri në fund”, shton babai i Ritës.

Historia e Ritës na kujton një gjë: të mos heqim dorë kurrë, sepse mrekullitë vërtet ekzistojnë. Edhe luftëtarët më të vegjël nganjëherë shkruajnë historitë më të mëdha.

 

Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.