Acibadem Sistina

“ACIBADEM SISTINA” IMPLEMENTON SISTEMIN REVOLUCIONAR PËR RADIOTERAPI DHE RADIOKIRURGJI TRUEBEAM

06.10.2025

 Spitali Klinik “Acibadem Sistina” ka implementuar akceleratorin linear më të avancuar – TrueBeam, një sistem plotësisht i integruar për realizimin e radioterapisë dhe radiokirurgjisë, i zhvilluar nga prodhuesi i njohur Varian Medical Systems. Ky sistem ofron saktësi të jashtëzakonshme dhe efikasitet të lartë në trajtimin e formave më të avancuara të kancerit, përfshirë tumoret e mushkërive, barkut, kokës dhe qafës, trurit dhe gjirit.

Prof. Dr. Deva Petrova, specialiste e onkologjisë, thekson se pas 13 viteve pune të përkushtuar, Departamenti i Onkologjisë dhe Radioterapisë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” rikonfirmon përkushtimin e tij me një përparim të rëndësishëm në fushën e onkologjisë.

“Me krenari njoftojmë sot për një epokë të re në trajtimin e sëmundjeve malinje. Me pajisjen e akceleratorit linear TrueBeam, për herë të parë në vendin tonë do të implementohen radiokirurgjia dhe radioterapia stereotaktike. Këto metoda ofrojnë saktësi të jashtëzakonshme në trajtimin e tumoreve malinje dhe beninje, duke siguruar mbrojtje maksimale të indeve të shëndetshme dhe kohëzgjatje më të shkurtër të terapisë. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, t’u ofrojmë pacientëve trajtim bashkëkohor dhe mbështetje të plotë në momentet më të vështira të jetës së tyre,” thekson Dr. Petrova.

Pacientët tani kanë qasje në terapi me saktësi të lartë, shpejtësi dhe komoditet, ndërsa ekipi mjekësor ka kapacitetin të përballojë rastet më të komplikuara të kancerit me efikasitet të lartë.

“Teknologjia TrueBeam na mundëson të zbatojmë teknika të avancuara të ndryshimeve të rrezatimit, si radioterapi me intensitet të moduluar (IMRT), radioterapi e udhëhequr nga imazhet (IGRT), radiokirurgji stereotaktike (SRS), radioterapi stereotaktike e trupit (SBRT) dhe RapidArc – forma më e avancuar e terapive me modulim vëllimor (VMAT). Kjo shumëllojshmëri na jep mundësinë që trajtimet t’i përshtatemi nevojave të çdo pacienti, duke zgjedhur teknikën më të përshtatshme për rastin konkret”, shpjegon Prof. Dr. Deva Petrova.

Sipas Dr. Petrova, trajtimi i pacientëve me TrueBeam zhvillohet në disa faza kryesore: përgatitja e planit individual të terapisë, kryerja e trajtimit dhe monitorimi gjatë trajtimit.

“Pasi mbledhim të gjitha informacionet relevante për karakteristikat e tumorit, përgatitet një plan preciz trajtimi që përcakton dozën e saktë, kohëzgjatjen dhe dinamikën e rrezatimit,” shpjegon Dr. Petrova.

VIZUALIZIMI DHE MONITORIMI I TUMORIT NË 3D NË KOHË REALE

Para dhe gjatë trajtimit, sistemi TrueBeam krijon pamje 3D me cilësi të lartë në kohë reale, që u ofrojnë mjekëve mundësinë për të monitoruar dhe adaptuar pozicionin e pacientit. Në këtë mënyrë, tumori mund të vizualizohet me saktësi më të lartë, duke rritur efikasitetin e terapisë.

INTEGRIMI I TRUEBEAM DHE SISTEMI IDENTIFY

Varian avancoi teknologjinë për terapi rrezatuese të udhëhequr nga sipërfaqja (SGRT) me integrimin e sistemit IDENTIFY në sistemet TrueBeam. Ky sistem i avancuar ofron pozicionim preciz të pacientit, udhëheqje të lëvizjeve gjatë terapisë dhe monitorim në kohë reale, duke rritur saktësinë, efikasitetin dhe sigurinë e trajtimeve, gjë që është veçanërisht e rëndësishme gjatë trajtimeve ku organet janë në lëvizje (për shembull gjatë frymëmarrjes).

“Sistemi IDENTIFY mundëson ndjekje të shpejtë dhe saktësi të lartë të lëvizjeve gjatë kryerjes së spektrit të gjerë të trajtimeve dhe teknikave, duke përfshirë: radiokirurgjinë stereotaktike (SRS), radioterapinë stereotaktike e trupit (SBRT) dhe trajtimet me kontroll të frymëmarrjes. Për shembull, gjatë frymëmarrjes, mushkëritë lëvizin dhe diafragma shkakton zhvendosje të mëlçisë, por sistemi TrueBeam përshtatet me këto ndryshime të vogla në pozitën e tumorit gjatë terapisë,” shpjegon Dr. Petrova.

QASJE MULTIDISIPLINARE NË TRAJTIMIN E PACIENTËVE ONKOLOGJIKË

Në Qendrën e Onkologjisë dhe Radioterapisë në “Acibadem Sistina”, trajtimi i pacientëve planifikohet duke u bazuar në një qasje multidisciplinare. Konsiliumi onkologjik, i përbërë nga mjekë specialistë nga fusha të ndryshme, bashkëpunon për të siguruar një plan trajtimi individual dhe sa më të përshtatshëm për çdo pacient.

Me zbatimin e sistemit TrueBeam, “Acibadem Sistina” edhe një herë tregon se fokusi i saj është tek shëndeti i pacientëve, profesionalizmi dhe kujdesi. Ky sistem mundëson trajtim radioterapeutik sipas standardëve më të larta botërore, duke ofruar teknika që deri më tani nuk ishin në dispozicion për pacientët tanë.

Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.