“ACIBADEM SISTINA” – NIKOQIR I SEMINARIT AO TRAUMA

“ACIBADEM SISTINA” – NIKOQIR I SEMINARIT AO TRAUMA

23.11.2026

Gjatë fundjavës, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” ishte nikoqir i seminarit AO Trauma me temë “Infeksionet gjatë trajtimit kirurgjik të frakturave”, kushtuar parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të një prej komplikimeve më serioze në kirurgjinë ortopedike dhe traumatologjike. Ky ishte eventi i dhjetë i organizuar nga dega maqedonase e asociacionit ndërkombëtar AO Trauma. Vlen të theksohet se për herë të parë seminari u organizua në një institucion spitalor dhe për herë të parë në gjuhën maqedonase.

Në seminar ligjëratat e tyre i prezantuan disa ligjërues, ortopedë dhe traumatologë, kirurgë specialistë të kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive, së bashku me ekspertë të fushës së mikrobiologjisë, duke mundësuar një qasje multidisiplinare ndaj kësaj problematike komplekse.

Seminari u drejtua nga Prof. Dr. Igor Kaftanxhiev, kryetar i degës maqedonase të AO Trauma, i cili njëkohësisht mbajti ligjëratën me temë “Gabimet më të shpeshta në trajtimin e infeksioneve”.

Nga “Acibadem Sistina”, me ligjërata profesionale morën pjesë edhe: Dr. Biljana Quriçiq, specialiste në mikrobiologji, me ligjëratën “Terapia sistemike me antibiotikë – roli i mikrobiologut” dhe Prof. Dr. Boro Xhonov, specialist në kirurgji plastike dhe rekonstruktive, me ligjëratën “Lëndimet e rënda të indeve të buta – ekstremiteti i dëmtuar rëndë”.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe Dr. Emilija Mirçevska, drejtoreshë mjekësore e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”.

Fokusi i këtij seminari ishin infeksionet si komplikime gjatë trajtimit të frakturave, me theks të veçantë në diagnostikimin e saktë të tyre, si dhe në llojet e ndryshme të trajtimit.

Përveç prezantimeve profesionale, seminari përfshiu diskutime interaktive të bazuara në raste klinike, si dhe debate mbi disa dilema kirurgjikale që lidhen me një nga komplikimet më serioze në kirurgjinë muskuloskeletore. Në këto raste komplekse, një nga dilemat kryesore kirurgjikale është nëse implanti duhet të ruhet apo të hiqet në rast infeksioni. Kjo qasje mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe ndërlidhjen e njohurive shkencore me sfidat reale në praktikën e përditshme klinike.

Përmes angazhimeve të tilla profesionale, mjekët e “Acibadem Sistina” kontribuojnë aktivisht në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me kolegët nga vendi dhe jashtë tij, duke ndjekur zhvillimet dhe arritjet më të reja në mjekësi. 

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.