Acibadem Sistina

MJEKËT E “ACIBADEM SISTINA” NË SIMPOZIUMIN NDËRKOMBËTAR PËR TRANSPLANTIMIN E MËLÇISË TE PACIENTËT PEDIATRIKË

25.06.2025

 Më 23 qershor, në Shkup u mbajt Simpoziumi Ndërkombëtar për Transplantimin e Mëlçisë te pacientët pediatrikë, ku ekspertë nga vendi dhe jashtë tij mbajtën ligjërata mbi tema të rëndësishme nga fusha e transplantimit të organeve dhe gastroenterologjisë pediatrike. Ky eveniment përfaqësonte një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive më të fundit, përvojave klinike dhe qasjeve bashkëkohore në trajtimin e fëmijëve që kanë nevojë për transplantim të mëlçisë.

Në këtë simpozium, Doc. Dr. Risto Simeonov, specialist i kirurgjisë pediatrike në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, shprehu mirënjohje të veçantë për Prof. Dr. Hamdi Karakajali, drejtor i Qendrës për Transplantim të Organeve në Spitalin Universitar “Acibadem Atakent” në Turqi, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite.

 “Me Prof. Dr. Karakajali bashkëpunoj që nga viti 2008, kur realizova një edukim gjashtëmujor në fushën e transplantimit të veshkave në Spitalin Universitar ‘Bashkent’ në Ankara. Në vitin 2009, së bashku e realizuam transplantimin e parë të veshkës në Republikën e Maqedonisë. Që nga ajo kohë e deri më sot, kemi marrë pjesë në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kemi realizuar mbi 100 transplantime të suksesshme të veshkës te fëmijët. Sot, kemi një qëllim të përbashkët që të zhvillojmë programin për transplantim të mëlçisë te pacientët pediatrikë”, theksoi Doc. Dr. Risto Simeonov. 

Në simpozium morën pjesë aktive edhe mjekë të tjerë eminentë nga grupacioni shëndetësor “Acibadem” nga Turqia, si dhe ekspertë vendorë nga Klinika Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve – Katedra e Pediatrisë. 

 
Nga Spitali Klinik “Acibadem Sistina”, në këtë simpozium mori pjesë edhe Dr. Natasha Çuçkova Nikçevska, specialiste e pediatrisë, e cila theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Prof. Dr. Vildan Ertekin, specialiste e gastroenterologjisë pediatrike nga Spitali Universitar “Acibadem Atakent”, në trajtimin e rasteve të ndërlikuara gastroenterohepatologjike pediatrike.
 
 
 
 

Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.