Acibadem Sistina

“ACIBADEM SISTINA” VAZHDON TRADITËN: 200 EKZAMINIME FALAS TË NISHANEVE ME RASTIN E MUAJIT TË MELANOMËS

12.05.2025

Spitali Klinik “Acibadem Sistina”, edhe këtë vit dhe për të dhjetin vit me radhë, realizoi aksionin me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës – melanomës. Në kuadër të kësaj iniciative, spitali ofroi 200 ekzaminime falas të nishaneve me qëllim diagnostikimin dhe parandalimin e hershëm të sëmundjes. Ekzaminimet u kryen nga ekipi i dermatologëve me përvojë të madhe në këtë fushë, duke përdorur teknologjinë më të avancuar – dermatoskopin digjital Mole Max HD.

Prof. Dr. Andrej Petrov, specialist në dermatovenerologji, thekson se ndihet veçanërisht krenar për interesin e madh të treguar nga pacientët për ekzaminimet dermoskopike falas të organizuara në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”. Sipas tij, kjo përgjigje pozitive kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrollove të rregullta dermoskopike, si një hap kyç për zbulimin dhe parandalimin e hershëm të kancerit të lëkurës.

 “Dermoskopia është standardi i artë për zbulimin e hershëm të melanomës. Kjo teknologji moderne mundëson një ekzaminim të detajuar dhe preciz të lëkurës – me hartëzim të shpejtë të nishaneve në rezolucion full HD, analizë dhe lokalizim të saktë të ndryshimeve, si dhe arkivim digjital të të regjistrimeve  për monitorim të mëtejshëm. Ne rekomandojmë që ekzaminimet dermoskopike të kryhen një herë në vit, duke filluar nga mosha 10-vjeçare, pavarësisht nga numri i nishaneve që ka një person në trupin e tij. Për personat me shumë nishane, këto ekzaminime janë të domosdoshme”, thekson Prof. Dr. Andrej Petrov, specialist i dermatologjisë.

Ky aksion, i cili në spitalin tonë realizohet me sukses tashmë dhjetë vite me radhë, ka një qëllim të qartë – zbulimin në kohë të ndryshimeve në lëkurë dhe mundësimin e trajtimit të duhur përpara se të zhvillohet sëmundja. Prof. Dr. Andrej Petrov thekson se zbulimi i hershëm i melanomës është kyç për një trajtim të suksesshëm. Ai gjithashtu u rekomandon të gjithë pacientëve që mbrojtja nga dielli është thelbësore: të përdoren kremra me faktor mbrojtës SPF 30 ose më të lartë, të cilët ofrojnë mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB, si dhe të vishen rroba të çelura, kapele dhe syze dielli. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rrezatimi i dëmshëm ultraviolet është shkaktari kryesor i shfaqjes së karcinomës së lëkurës.

 

Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.