Me rastin e muajit kushtuar ndërgjegjësimit të pacientëve për zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës, melanomës, në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” u organizuan dhe u realizuan me sukses 200 ekzaminime dermoskopike falas të nishaneve për të 9-tin vit radhazi.

Në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” këto ekzaminime kryhen me teknikën më të fundit të dermoskopisë digjitale Mole max HD, e cila mundëson hartëzimin/regjistrimin e lokalizimit të nishanit, përcjelljen/krahasimin e imazheve, arkivimin digjital. Prof. Dr Andrej Petrov, specialist i dermatovenerologjisë, thotë se kështu monitorohet çdo ndryshim i nishaneve.
“Përdorimi i metodës së dermoskopisë, me të cilën kontrollohen nishanet dhe ndryshimet e tjera të lëkurës, ka përmirësuar për 60% zbulimin e hershëm të disa llojeve të kancerit të lëkurës. Është shumë e rëndësishme që kanceri i lëkurës të zbulohet në fazën fillestare, pasi nëse zbulohet në kohë rriten shanset për një rezultat të mirë të shërimit dhe mbijetesës. Aksioni ynë ka për qëllim ngritjen e kulturës shëndetësore tek pacientët për të bërë kontrolle të rregullta dermoskopike një herë në vit, ndërsa më gëzon fakti që nga viti në vit rritet numri i pacientëve të interesuar për ekzaminimet falas dermoskopike, gjë që na motivoi për të dyfishuar numrin e tyre këtë vit”, thotë Prof. Dr. Petrov.

Vetë-ekzaminimet janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e zbulimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të lëkurës. Dr. Petrov thotë se një vetë-ekzamin mund të bëhet duke përdorur rregullën ABCDE për nishanet, e cila është një akronim i fjalëve angleze që tregojnë ndryshimet në formën, skajet e nishanit, ngjyrën, madhësinë apo transformim e nishanit me kalimin e kohës. Nëse vërehet ndonjë ndryshim, pra nëse nishani ndryshon pamjen e tij, fillon të rritet, gjakoset ose shfaqet një “nishan” i ri, duhet të konsultoheni me një specialist dermatovenerolog.
Ky aksion, i cili ka karakter parandalues, tradicionalisht shënohet në Departamentin e Dermatovenerologjisë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” me qëllim që të rrisë alarmin për kancerin më të rrezikshëm të lëkurës si pjesë e fushatës ndërkombëtare “Euromelanoma”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e lëkurës dhe të promovojë praktikën e zbulimit të hershëm.