NËNTË NDËRHYRJE ROBOTIKE TË KRYERA ME SUKSES – “ACIBADEM SISTINA” ZHVILLON KIRURGJINË ROBOTIKE NË VEND DHE NË RAJON

NËNTË NDËRHYRJE ROBOTIKE TË KRYERA ME SUKSES – “ACIBADEM SISTINA” ZHVILLON KIRURGJINË ROBOTIKE NË VEND DHE NË RAJON

08.10.2026

 Spitali Klinik “Acibadem Sistina” deri më tani ka realizuar me sukses nëntë ndërhyrje kirurgjikale me asistencë robotike në fushën e urologjisë dhe gjinekologjisë, duke avancuar më tej zhvillimin e kirurgjisë robotike si një standard i ri në trajtimin kirurgjikal minimalisht invaziv. Deri në fund të vitit, planifikohet të realizohen gjithsej 20 ndërhyrje të tilla, ndërsa aplikimi i kësaj teknologjie bashkëkohore do të zgjerohet edhe në kirurgjinë pediatrike, abdominale dhe torakale.

Falë investimit në sistemin bashkëkohor robotik MedBot Toumai®, “Acibadem Sistina” është bërë qendra e vetme e këtij lloji për kirurgji robotike në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Spitali disponon një ekip mjekësor të specializuar dhe të trajnuar profesionalisht për realizimin edhe të ndërhyrjeve më komplekse kirurgjikale me asistencë robotike.

 “Jemi krenarë që jemi pionierë në zhvillimin e kirurgjisë robotike në vendin tonë dhe në rajon, duke kontribuar në ngritjen e standardeve të trajtimit kirurgjikal. Për pacientët, kirurgjia minimalisht invazive me assitencë robotike ofron përfitime të shumta, si: prerje më të vogla kirurgjikale, gjakderdhje më të vogël gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, dhimbje më të lehta pas operacionit, rrezik më të ulët për komplikime, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rikthim më të shpejtë në aktivitetet e përditshme. Vazhdojmë të investojmë në edukimin e vazhdueshëm dhe përsosjen profesionale të ekipeve tona në këtë fushë, me qëllim që pacientëve t’u ofrojmë trajtim dhe kujdes mjekësor sipas standardeve më bashkëkohore”, deklaroi Prof. Dr. Sotir Stavridis, specialist i urologjisë.

Ndërhyrja e parë kirurgjikale me asistencë robotike në “Acibadem Sistina” u krye në korrik të këtij viti, kur ekipi i urologjisë realizoi me sukses një prostatektomi radikale me limfadenektomi, një procedurë komplekse për trajtimin e kancerit të prostatës. Më pas, teknologjia robotike filloi të aplikohej edhe në kirurgjinë e veshkave, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme: për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, u krye një nefrektomie me asistencë robotike te një paciente me tumor kompleks të veshkës. Krahas ndërhyrjeve urologjike në prostatë dhe veshka, u kryen me sukses edhe ndërhyrje gjinekologjike të asistuara nga roboti, përfshirë histerektomi laparoskopike me limfadenektomi te paciente me tumore beninje dhe malinje të mitrës.

Zhvillimi i kirurgjisë robotike do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, kur në Qendrën e Kirurgjisë Robotike të “Acibadem Sistina” planifikohet të realizohen nga 100 deri në 120 ndërhyrje kirurgjikale të asistuara nga roboti.

Sistemi robotik Toumai® është një nga teknologjitë më të avancuara në fushën e kirurgjisë robotike. Ai mundëson vizualizim tredimensional me rezolucion të lartë, zmadhim të shumëfishtë të fushës operative, si dhe lëvizje jashtëzakonisht të sakta dhe të qëndrueshme të instrumenteve kirurgjikale. Kjo teknologji siguron një nivel të lartë preciziteti edhe gjatë ndërhyrjeve në zona anatomike të vështira për t’u arritur, duke mundësuar ruajtjen sa më të madhe të nervave, enëve të gjakut dhe indeve përreth.

Përmes trajnimit dhe përsosjes së vazhdueshme profesionale të ekipeve mjekësore, zbatimit të procedurave të reja dhe zgjerimit të përvojës klinike, synohet që kirurgjia robotike të bëhet pjesë e rëndësishme dhe e qëndrueshme e praktikës moderne kirurgjikale në spital.

 

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.