“ACIBADEM SISTINA” FILLON ZBATIMIN E STIMULIMIT TË THELLË TË TRURIT NË TRAJTIMIN E SËMUNDJES SË PARKINSONIT

“ACIBADEM SISTINA” FILLON ZBATIMIN E STIMULIMIT TË THELLË TË TRURIT NË TRAJTIMIN E SËMUNDJES SË PARKINSONIT

05.10.2026

 Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” u zhvillua një trajnim profesional për përdorimin e sistemit Leksell Vantage Stereotactic System, një sistem bashkëkohor i dedikuar për neurokirurgjinë stereotaktike, i cili përdoret gjatë ndërhyrjeve neurokirurgjikale me precizion të lartë.

Trajnimi është pjesë e përgatitjeve të spitalit për të aplikuar stimulimin e thellë të trurit (Deep Brain Stimulation – DBS) si një opsion terapeutik për pacientë të përzgjedhur me sëmundjen e Parkinsonit. Trajnimi u drejtua nga Patti Bachelder, specialiste për aplikime neurologjike në kompaninë e njohur Elekta, e cila së bashku me ekipin e “Acibadem Sistina” punoi në aplikimin praktik të sistemit dhe përdorimin e tij gjatë përgatitjes dhe realizimit të procedurave neurokirurgjikale stereotaktike me precizion të lartë.

 “Me furnizimin me sistemin bashkëkohor stereotaktik dhe me trajnimin e realizuar e ekipit, po krijojmë kushtet për zbatimin e stimulimit të thellë të trurit edhe në spitalin tonë. Kjo është një procedurë shumë e specializuar, e cila kërkon saktësi të jashtëzakonshme, planifikim të kujdesshëm dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet neurokirurgëve, neurologëve, radiologëve dhe personelit tjetër mjekësor. Qëllimi ynë është që pacientëve me sëmundjen e Parkinsonit, të përzgjedhur në mënyrë të përshtatshme, t’u ofrojmë një opsion bashkëkohor terapeutik, i cili mund të kontribuojë ndjeshëm në kontrollin më të mirë të simptomave motorike dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës”, thotë Doc. Dr. Milenko Kostov, neurokirurg.

Gjatë trajnimit, ekipi multidisiplinar i ekspertëve mjekësorë u njoh me përgatitjen, vendosjen dhe përdorimin e duhur të sistemit stereotaktik, si dhe me integrimin e tij në imazherinë radiologjike dhe në planifikimin e procedurave neurokirurgjikale.

 “DBS është një metodë e neurokirurgjisë funksionale, me të cilën në struktura të përcaktuara saktësisht, thellë në tru, vendosen elektroda të holla, të cilat përmes zgjatimeve nënlëkurore lidhen me një neurostimulues të vogël, që vendoset nën lëkurë në zonën poshtë kockës së klavikulës. Sistemi, në një mënyrë të thjeshtuar, mund të shpjegohet si një pejsmejker për trurin. Ndryshe nga procedurat klasike kirurgjikale, me të cilat krijohet një lezion i përhershëm në indin e trurit, DBS nuk shkatërron strukturën e trurit. Në vend të kësaj, përmes impulseve elektrike të kontrolluara ndryshon aktivitetin e rrjeteve nervore që marrin pjesë në shfaqjen e simptomave të sëmundjes së Parkinsonit. Objektivat më të shpeshta për stimulim janë strukturat që bëjnë pjesë në ganglionet bazale, të cilat kanë një rol qendror në kontrollin dhe koordinimin e lëvizjeve”, thotë Doc. Dr. Milenko Kostov, neurokirurg.

Me zbatimin e kësaj teknologjie, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” vazhdon të zhvillojë procedurat komplekse neurokirurgjikale dhe të investojë në pajisje bashkëkohore mjekësore, edukimin e stafit dhe qasjen multidisiplinare në trajtimin e pacientëve.

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.