Qyteti i Krushevës, një nga destinacionet më të njohura në botë për paraglajding, çdo vit tërheq aventurierë nga vende të ndryshme. Njëra prej tyre ishte edhe Pauline Bayle, e cila dy vite më parë, së bashku me ekipin polak dhe për shkak të pasionit të saj për paraglajdingun, vendosi ta vizitojë këtë qytet. Ajo që filloi si një përvojë emocionuese, përfundoi me një lëndim serioz në ditën e fundit të qëndrimit gjatë zbritjes me paraglajdër, Pauline pësoi një dëmtim të rëndë në shputën e djathtë, një gjendje që kërkonte trajtim të menjëhershëm.
“Atë ditë frynte shumë erë dhe gjatë zbritjes u lëndova rëndë në shputën e djathtë. Në vendin ku u zbrita me paraglajdërin isha krejtësisht e vetme, asnjë nga anëtarët e ekipit nuk ishte afër meje. Ndjeva dhimbje të padurueshme, shputa ishte zhvendosur plotësisht dhe nuk mund të ecja. Me shumë vështirësi arrita të kontaktoj instruktorin tim, të cilit iu desh rreth një orë për të mbërritur tek vendi ku ndodhesha. Për fat të mirë, derisa instruktori kërkonte ndihmë nëpër spitalet e zonës, pronari i shtëpisë ku qëndronim na rekomandoi të shkonim në ‘Acibadem Sistina’. Pas tre orësh udhëtim, arritëm atje”, rrëfen Pauline.
Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, pacientja Pauline u pranua nga Dr. Mihajlo Ivanovski, specialist i traumatologjisë, i cili i bëri me dije se ishte e nevojshme të kryhej menjëherë një ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, ai e inkurajoi që të mos kishte frikë dhe e siguroi se gjithçka do të shkonte mirë, duke i premtuar se ajo do të ecë sërish pa asnjë problem.
“Pas ekzaminimeve klinike dhe radiologjike, konstatuam se ishin të nevojshme dy ndërhyrje kirurgjikale. Njërën e realizuam menjëherë pas pranimit, kemi bërë një ndërhyrje për ripozicionimin e luksacionit të hapur të gishtit të madh dhe kockave tarsale. Ndërhyrja e dytë u shty për dy javë për shkak të gjendjes lokale të shputës. Të dyja operacionet u realizuan me sukses dhe pa komplikime”, shpjegon Dr. Ivanovski..
Qëndrimi në Shkup nuk ishte i lehtë për Pauline, pasi ishte e vetme dhe larg nga shtëpia, në një vend të huaj. Megjithatë, ajo thotë se gjithmonë do ta kujtojë pritjen e ngrohtë në spital dhe kujdesin e personelit, të cilët që nga momenti i parë e bënë të ndihej e sigurt dhe e mirëpritur.
“Përjetova diçka që nuk e kisha pritur, ngrohtësi dhe humanizëm në çdo kënd. I gjithë stafi, mjekët, infermierët, ndihmësit e infermierëve ishin jashtëzakonisht të sjellshëm dhe të kujdesshëm. Qasja e tyre pozitive dhe buzëqeshjet gjatë gjithë qëndrimit më jepnin forcë dhe inkurajim. Kjo më ndihmoi të mos mendoja për seriozitetin e lëndimit. Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time për të gjithë këta njerëz, veçanërisht për ekipin mjekësor”, thotë Pauline.
Për shkak të natyrës së ndërlikuar të lëndimit, Pauline qëndroi në Shkup edhe një muaj për rehabilitim dhe monitorim të procesit të rikuperimit, e më pas u kthye në shtëpi në Poloni. Atje vazhdoi me kontrollet te specialistët, fillimisht në Poloni dhe më vonë në Francë. Sipas mjekëve atje, kjo ndërhyrje kirurgjikale ishte një ndërhyrje e jashtëzakonshme, ata pranuan se nuk do të kishin marrë një rrezik të tillë.
“Gjatë të gjitha kontrolleve në Poloni dhe Francë, mjekët më këshillonin të jem e kujdesshme, duke thënë se nuk mund të parashikonin se si do të reagonte këmba me kalimin e kohës. Asnjëri prej tyre nuk më dha një përgjigje të qartë, përveç mjekut tim nga Shkupi, i cili më tha: ‘Ti do të ecësh dhe do të fluturosh përsëri pas një viti’”, thotë Pauline.
Pothuajse dy vite më vonë, Pauline është rikthyer në Shkup me një qëllim të vetëm ta vizitojë Dr. Ivanovskin dhe të dëgjojë mendimin e tij, i cili për të ka më shumë rëndësi se çdo tjetër. Ajo planifikon një aventurë të re në nëntor, këtë herë në Nepal, për ngjitje në majën Annapurna, së bashku me një grup alpinistësh. Pauline thotë se merret me alpinizëm prej mbi 10 vjetësh, por pas aksidentit, një pyetje e kishte në mend vazhdimisht: ‘A do të mund të ngjitem përsëri pas këtij dëmtimi?’
“Kam marrë mendime nga shumë mjekë, por vetëm një ishte i rëndësishëm për mua, ai i mjekut që më operoi dhe që ma ktheu lëvizjen, mundësinë për të ecur. Para se të nisem në një aventurë të re, thjesht doja që Dr. Mihajlo Ivanovski të më thoshte se jam e gatshme për këtë sfidë. Tek ai kam besimin më të madh”, thotë Pauline.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.