Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” u realizua vendosja e sistemit ventrikuloperitoneal për drenazh në mënyrë precize, duke përdorur sistemin e neuronavigacionit, tek një pacient me hidrocefalus të unikompartmentalizuar.
Më parë, pacienti kishte kaluar disa ndërhyrje neurokirurgjikale, të cilat kishin shkaktuar ndryshime të mëdha në anatominë normale të trurit, duke e ulur saktësinë e vendosjes së shantit me metodat standarde të bazuara në pikat anatomike orientuese dhe përvojën e ekipit.
“Para ndërhyrjes operative, tek pacienti u krye tomografi e kompjuterizuar (TK) me rezolucion të lartë, e cila mundësoi rikonstruksion të detajuar të sistemit ventrikular. Në bazë të këtyre të dhënave u realizua analiza trigonometrike e saktë e trajektores optimale për vendosjen e kateterit ventrikular, duke përfshirë variacionet individuale të pacientit”, thotë Dr. Milenko Kostov, neurokirurg.
Ndërhyrja u realizua me sistemin e neuronavigacionit me fushë elektromagnetike, i cili mundëson ndjekjen e instrumenteve në hapësirën 3D. Përveç kësaj, aparati mundëson një pasqyrë virtuale endoskopike me paraqitjen e trajektores së kateterit nëpër strukturat e trurit, duke rritur më tej sigurinë gjatë procedurës dhe duke shmangur zonat elokuente vaskulare dhe parenkimale.
“Sipas studimeve bashkëkohore, kombinimi i neuronavigacionit dhe endoskopisë virtuale rrit në mënyrë të konsiderueshme saktësinë e vendosjes së kateterit dhe e ul shkallën e malpozicionimit nga 100–40% (me metodat tradicionale) në më pak se 5%”, thotë dr. Kostov.
Përparësitë e teknologjisë intraoperative
Përparësitë kryesore nga përdorimi i teknologjisë intraoperative janë: saktësi milimetrike gjatë pozicionimit të kateterit, ulja e rrezikut nga komplikimet duke përfshirë malpozicionimin në rastet me anatomi të ndryshuar, zvogëlimi i kohës së operacionit falë përcaktimit paraprak të trajektores, si dhe rritja e funksionalitetit afatgjatë të sistemit ventrikuloperitoneal (VP).
Në periudhën postoperative, pacienti është rikuperuar në mënyrë stabile, me një kateter të pozicionuar siç duhet, i konfirmuar si intraoperativisht ashtu edhe pas operacionit. Përdorimi i sistemit të neuronavigacionit kontribuon në uljen e kohës totale të ndërhyrjes dhe përshpejtimin e rikuperimit postoperativ.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.