Për herë të parë në Maqedoni dhe rajonin në Spitali klinik “Acibadem Sistina” janë kryer dy procedura minimalisht invazive për trajtimin e ngushtimeve të vazhdueshme dhe/ose të përsëritura – strikturave të kanalit urinar (uretrës).
“Kjo procedurë kryhet pa prerje, në mënyrë endoskopike dhe nën kontroll fluoroskopik, me balon të dizajnuar posaçërisht me mbulim nga ilaçi paklitaksel – një citostatik me veprim lokal, i cili, falë veprimit të tij, parandalon formimin e përsëritur të indit lidhor dhe ngushtimin e kanalit urinar. Pacientët largohen nga spitali të njëjtën ditë, duke mbajtur vetëm një kateter të hollë për tre ditë. Ilaçi vepron gjatë periudhës kyçe, rreth një muaji, pa shkaktuar efekt sistemik në organizëm”, shpjegon Dr. Aleksandar Mickovski, specialist i urologjisë.
Ajo që është thelbësore është se shkalla e përsëritjes së strikturave zvogëlohet me 75%, ndërsa nevoja për kryerjen e një operacioni të madh të hapur me transplantim të mukozës nga faqja zvogëlohet me 50%. Krahasuar me këtë, shkalla e suksesit të DVIU klasike (uretrotomia e brendshme, një nga operacionet më të shpeshta urologjike) rritet nga 27% në një periudhë 5-vjeçare në 75% sipas studimit ROBUST III. Procedura është maksimalisht e sigurt, ndërsa ndërlikimet janë të rralla dhe kalimtare.
Dr. Mickovski thekson se ky lloj procedure është i miratuar dhe bën pjesë në protokollin zyrtar për trajtimin e strikturave – ngushtimeve të kanalit urinar, sipas udhëzimeve të dy shoqatave të njohura urologjike – shoqata amerikane (AUA) dhe evropiane (EAU), dhe gjithashtu ka miratim nga FDA amerikane. Procedura kryhet rregullisht në qendrat urologjike më moderne dhe me kënaqësi të madhe tashmë edhe në vendin tonë.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.