Ekipi urologjik i Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” realizoi një ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse rekonstruktive urologjike, e cila deri më tani është kryer vetëm në katër qendra referuese evropiane. Tek pacienti njëkohësisht u vendosën sfinkteri urinar artificial dhe proteza penile me tre komponentë – ndërhyrje e njohur me termin mjekësor AMS 1500, sipas emrit të prodhuesit udhëheqës të këtyre implanteve American Medical Systems – Boston Scientific.
Me këtë ndërhyrje, me një prerje kirurgjikale, dy situata komplekse zgjidhen përgjithmonë: shkalla e fundit e disfunksionit erektil dhe inkontinenca urinare totale, kështu pacienti fiton një zgjidhje të përhershme për disfunksionin erektil dhe varësinë nga pelenat. Ky lloj ndërhyrjeje konsiderohet kulmi i urologjisë rekonstruktive dhe kryhet vetëm në qendra me përvojë shumëvjeçare dhe ekspertizë të lartë.
Operacioni u krye nga ekipi urologjik i “Acibadem Sistina”, i udhëhequr nga Dr. Aleksandar Mickovski, në praninë e prof. dr. Vladimir Kojoviq, bashkëpunëtor profesional i jashtëm shumëvjeçar i spitalit dhe urolog eminent botëror, i cili gjatë viteve ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe ka ndarë përvojën e tij me ekipin tonë.
,,Јemi krenarë që për herë të parë në rajon, spitali ynë është pionier në kryerjen e kësaj ndërhyrjeje jashtëzakonisht komplekse. Operacioni i suksesshëm është rezultat i edukimit të vazhdueshëm, punës në ekip dhe praktikës kirurgjikale të nivelit të lartë. Është një nder i veçantë që pacienti nga Zvicra zgjodhi spitalin tonë klinik, bazuar në rekomandimet e pacientëve të tjerë, për të marrë zgjidhjen më bashkëkohore dhe të përhershme për problemin e tij. Ky është konfirmim se urologjia maqedonase mund të ecë në hap me qendrat kryesore evropiane. Një falënderim i madh, para së gjithash, pacientit për besimin e pakursyer, ekipit ndërkombëtar kirurgjikal dhe stafit tonë të sallës së operacionit, si dhe zyrës përfaqësuese të Boston Scientific në Maqedoni për mbështetjen e tyre të plotë”, deklaroi Dr. Mickovski.
Ndërhyrja komplekse zgjati katër orë e gjysmë, pas së cilës pacienti u vendos në repartin kirurgjikal ku, pas një qëndrimi të shkurtër në spital dhe shërimit të plotë, do të kthehet te aktivitetet e përditshme.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.