Mjekët nga Spitali Klinik “Acibadem Sistina” morën pjesë me ligjëratat e tyre në Kongresin e 21-të të Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë, i cili u mbajt nga 11 deri më 14 shtator në Shkup. Ngjarja mblodhi mbi 1000 pjesëmarrës, mjekë të njohur nga e gjithë bota dhe përfaqësoi një platformë katërditore ku u prezantuan arritjet më të reja nga fusha të ndryshme të mjekësisë.
Kongresi ofroi një program të pasur me ligjërata dhe poster-prezantime, që mundësuan zhvillimin e diskutimeve të pasura, shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave, si dhe hapjen e perspektivave të reja në mjekësi.
Në këtë takim të rëndësishëm shkencor morën pjesë edhe mjekët nga Spitali Klinik “Acibadem Sistina”. Dr. Biljana Kakaraskoska-Bocevska, specialiste në mikrobiologji, foli mbi temën “Rrjeti CAESAR dhe monitorimi i rezistencës antimikrobike në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Prof. Andrej Petrov, specialist në dermatovenerologji, mbajti ligjëratë kushtuar udhëzimeve ndërkombëtare për menaxhimin e vitiligos. Doc. dr. Kornelija Trajkova, specialiste në gjinekologji dhe obstetrikë, prezantoi temën “Vaksina HPV universale/gender neutral”. Dr. Biljana Kjurçiq, specialiste në mikrobiologji, së bashku me dr. Kornelija Trajkova, trajtuan temën “Mikrobiomi në fokus: a është disbiozë apo sëmundje?”. Prof. dr. Katerina Kubelka-Sabit, specialiste në anatomi patologjike, prezantoi krahasimin mes citologjisë konvencionale dhe citologjisë së bazuar në lëng. Gjithashtu, dr. Vesna Pljakoska, specialiste në dermatovenerologji, mori rolin e moderatores në panelin kushtuar sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të organizuar nga Shoqata për Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme dhe Shoqata Multidisiplinare Maqedonase për Mikrobiomën Njerëzore.
Përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në kongres, mjekët nga “Acibadem Sistina” edhe një herë theksuan përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit të shkencës mjekësore dhe avancimit të praktikës klinike.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.