Me krenari të madhe ndajmë lajmin se, për herë të parë, në revistën prestigjioze “Revista Ndërkombëtare për Shkenca Teknike dhe Natyrore” të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik është publikuar një punim kërkimor shkencor i përgatitur nga infermierët e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”. Ky punim është rezultat i punës së përkushtuar, shpirtit kërkimor dhe përpjekjeve të vazhdueshme për avancimin e praktikës së infermierisë.
Punimi shkencor është rezultat i projektit simulues “Dhoma me gabime”, i realizuar në qendrën e re simuluese të spitalit, e cila në vitin 2023 u pajis plotësisht për edukim dhe trajnim praktik. Në këtë projekt morën pjesë 278 infermierë nga departamentet e ndryshme, të cilët duke ndjekur skenarë të caktuar dhe duke punuar me kukulla fantome, kishin detyrën të identifikonin sa më shumë gabime të mundshme lidhur me sigurinë e pacientëve, në një mënyrë inovative dhe interaktive, që u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga të gjithë pjesëmarrësit.
Pas përfundimit të simulimeve, të gjitha të dhënat u përpunuan dhe analizuan thellësisht sipas standardeve botërore, ndërsa punimi përfundimtar u përgatit në përputhje me metodologjinë e American Psychological Association (APA). Në përgatitjen e tij morën pjesë infermierët dhe bashkëpunëtorët Androniki Bibovska, Biljana Dilevska, Jelena Zllatiq-Stoillov, Robert Eftimovski, Magdalena Mitevska dhe Darko Sazdov – një ekip që me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij shënon hapjen e një kapitulli të ri në profesionin e infermierisë maqedonase.
Kërkimi shkencor konfirmoi që infermierët e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” kanë aftësi të jashtëzakonshme për t’i identifikuar në kohë gabimet dhe rreziqet e mundshme, veçanërisht ata që punojnë në repartet me intensitet të lartë, ku duhet të veprohet shpejt dhe me saktësi. Këto rezultate janë plotësisht në përputhje me standardet JCI që spitali i zbaton që nga viti 2016.
Në vitin 2025 zyrtarisht filloi me punë edhe ekipi i parë i infermierëve-kërkues, me një mision të qartë: publikimin e punimeve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive dhe avancimin e vazhdueshëm të profesionit të infermierisë.
Ky sukses jo vetëm që e përforcon rolin e infermierëve si bartës kryesorë në ofrimin e kujdesit shëndetësorcilësor, por gjithashtu hap mundësi të reja për zhvillim profesional, punë shkencore dhe angazhim aktiv në krijimin e ardhmërisë së shëndetësisë.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.