Reagim të shpejtë, koordinim dhe veprim profesional në kushte të tërmetit dhe zjarrit demonstruan punonjësit e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” gjatë një ushtrimi simulues për mbrojtje dhe shpëtim. Përmes një skenari realist, ekipet e spitalit testuan njohuritë dhe aftësitë e tyre për përballimin e situatave të krizës, me theks të veçantë në sigurinë e pacientëve, vizitorëve dhe personelit.
Ushtrimi përfshiu disa aktivitete, ndër të cilat evakuimin e personave të sëmurë dhe të lënduar në një vend të sigurt, dhënien e ndihmës së parë mjekësore, përkujdesjen ndaj pacientëve dhe zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri. Qëllimi ishte të verifikohej funksionaliteti i procedurave të vendosura, gatishmëria e personelit për të vepruar në rast të fatkeqësive natyrore, si dhe efikasiteti i komunikimit dhe bashkëpunimit me shërbimet e jashtme për mbrojtje dhe shpëtim.
Ushtrimi simulues u realizua në bashkëpunim me Brigadën e Mbrojtjes nga Zjarri të Qytetit të Shkupit, e cila mori pjesë me ekipet dhe pajisjet e saj të specializuara. Koordinator i aktiviteteve ishte Marjanço Janevski, komandant i Njësisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në “Acibadem Sistina”. Veprimi i përbashkët i personelit të spitalit dhe ekipeve të zjarrfikësve konfirmoi rëndësinë e veprimit të koordinuar në situata ku shpejtësia dhe reagimi i duhur janë të një rëndësie vendimtare.
Edukimi i vazhdueshëm, trajnimet praktike dhe testimi i rregullt i protokolleve të sigurisë janë pjesë e përkushtimit të “Acibadem Sistina” për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë pacientët, vizitorët dhe punonjësit.
Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.