Acibadem Sistina

GRUPI I TRETË I KIRURGËVE NGA ACIBADEM SISTINA NË TRAJNIM PËR KIRURGJI ROBOTIKE NË STAMBOLL

09.06.2026

 Grupi i tretë i kirurgëve nga Spitali Klinik “Acibadem Sistina” po merr pjesë në një trajnim për kirurgji robotike në Qendrën TOUMAI®️ të Trajnimit për Kirurgji Robotike, e zhvilluar në bashkëpunim me MicroPort në kuadër të Universitetit Acıbadem në Stamboll, Turqi. Në këtë grup përfshihen specialistët e kirurgjisë pediatrike: Doc. Dr. Risto Simeonov dhe Dr. Zllatko Alleksovski, si dhe specialistët e kirurgjisë digjestive: Dr. Vlladimir Avramovski dhe Dr. Alen Jovçevski.

Në fushën e kirurgjisë digjestive, teknologjia robotike mund të aplikohet pothuajse në të gjitha procedurat elektive, pra jo urgjente, që sot kryhen me qasje klasike ose laparoskopike. Përdorimi i saj përfshin kirurgjinë e traktit gastrointestinal, duke përfshirë trajtimin e GERD-it (sëmundjes së refluksit gastroezofageal), hernies hiatale, tumoreve beninje dhe malinje të stomakut, ndërhyrjeve kirurgjikale në zorrën e hollë dhe kirurgjisë kolorektale. Kirurgjia robotike përdoret gjithashtu edhe për operacionet në organet parenkimatoze, si mëlçia, pankreasi dhe shpretka, si dhe në kirurgjinë e murit abdominal, duke përfshirë herniet inguinale dhe ventrale.

Me futjen e robotit kirurgjikal, “Acibadem Sistina” do të mundësojë aplikimin e kirurgjisë minimalisht invazive më bashkëkohore edhe te pacientët pediatrikë, duke përfshirë edhe të porsalindurit. Kirurgjia robotike te fëmijët do të përdoret kryesisht në urologjinë pediatrike, kirurgjinë abdominale pediatrike dhe kirurgjinë neonatale. Kjo teknologji e avancuar mundëson saktësi të jashtëzakonshme, siguri më të madhe dhe kohëzgjatje më të shkurtër të ndërhyrjeve kirurgjikale. Për pacientët më të vegjël, kjo nënkupton traumë më të vogël kirurgjikale, rikuperim më të shpejtë, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rezultate më të mira pas operacionit.

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.