Acibadem Sistina

Eksperienca e pacientëve

BLLAZHE DIMITROVSKI: DR. ALEKSANDAR NIKOLIQ SHPËTON JETË EDHE ATËHERË KUR SHANSET JANË MINIMALE

15.05.2026

 Në botën e mjekësisë ekzistojnë intervenime që nuk janë vetëm operacione, por beteja mes jetës dhe vdekjes. Rrëfimi i pacientit Bllazhe Dimitrovski (60) nga Kriva Pallanka është një histori për forcën, shpresën dhe mjekësinë e avancuar që vendos standarde të reja. Bllazhe ka 10 vjet që është pensionist dhe sot jeton një jetë aktive dhe të mbushur me aktivitete. Ai ecën deri në 20 kilometra në ditë dhe me një buzëqeshje në fytyrë flet për përditshmërinë e tij, duke shprehur mirënjohje të madhe për mjekët që, siç thotë ai, “ia kanë dhuruar jetën për herë të dytë”.

LUFTA E PARË – FILLIMI I RRUGËTIMIT

Historia e tij shëndetësore fillon para një dekade. Në vitin 2016, pas disa indikacioneve shëndetësore, ai iu nënshtrua operacionit të parë të aortës, i realizuar nga Prof. Dr. Salis Taxher. Ndërhyrja kaloi me sukses dhe Bllazhe iu rikthye sërish jetës normale.

“U ndjeva mirë. Isha shumë aktiv, madje në disa raste edhe e teprova me angazhimet”, thotë ai sot me një dozë vetëkritike. Me kalimin e kohës, edhe pse pensionist, ai filloi të ngarkohej fizikisht në mënyrë të tepërt. Punonte punë të rënda fizike dhe, në të njëjtën kohë, vuante edhe nga tensioni i lartë i gjakut, një kombinim që pa qenë i vetëdijshëm, e kishte sjellë në një gjendje serioze dhe të rrezikshme për jetën.

BETEJA QË NDRYSHOI GJITHÇKA

Më 5 gusht 2025, për shkak të dhimbjeve të forta dhe të papritura, Bllazhe kërkoi ndihmë mjekësore urgjente. Gjendja e tij u përkeqësua shpejt dhe ai u transportua me ambulancë direkt në spitalin klinik “Acibadem Sistina”. Diagnoza ishte serioze dhe tejet e rrezikshme - disekcion i aortës torakoabdominale, një nga gjendjet më të rënda në kardiokirurgji, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale.

NDËRHYRJA QË HYN NË HISTORI

Kardiokirurgu Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq udhëhoqi operacionin së bashku me një ekip multidisiplinar të nivelit të lartë profesional. “Bëhet fjalë për një ndërhyrje jashtëzakonisht të komplikuar dhe serioze, sidomos për faktin se ishte rioperim. Në raste të tilla, rreziku është shumë më i madh. Ky është operacioni i vetëm i këtij lloji i kryer në vendin tonë”, shpjegon Prof. Dr. Nikoliq.

Pas ndërhyrjes pasoi periudha më kritike. Bllazhe qëndroi në komë për 40 ditë të plota, e induktuar nga ekipi mjekësor, me qëllim që hemodinamika dhe shkëmbimi i gazrave të stabilizoheshin në nivelin e duhur, për t’i mundësuar më pas shkëputjen nga aparati i frymëmarrjes.

“Për shkak të seriozitetit të gjendjes, ekipi mjekësor vendosi që pacienti të mbahej në gjendje kome të induktuar. Çdo ditë ishte një luftë dhe çdo parametër kishte rëndësi”, shton mjeku.

SAKRIFICA E EKIPIT DHE KUJDESI NJERËZOR

Në ato ditë, mjekësia nuk ishte vetëm shkencë, por edhe njerëzi. Mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi mjekësor ishin plotësisht të përkushtuar ndaj rikuperimit të tij.

“U kujdesën për mua si të isha njeriu i tyre. Ishin vazhdimisht në kontakt me familjen time, veçanërisht me vajzën time. Na jepnin shpjegime, shpresë dhe forcë”, rrëfen Bllazhe.

Sipas tij, komunikimi i vazhdueshëm dhe transparenca e ekipit mjekësor u dhanë familjarëve paqe dhe siguri, edhe në momentet kur ai vetë nuk ishte i vetëdijshëm për gjithçka që ndodhte rreth tij.

FITORJA DHE FILLIMI I RI

Pas disa javësh, trupi i tij e fitoi betejën dhe Bllazhe u zgjua nga koma. Sot, me shëndet të stabilizuar dhe energji të madhe, ai e jeton sërish jetën plotësisht.

“Tani jam mirë. Jam aktiv, ec deri në 20 kilometra në ditë. Për mua, çdo hap është një dhuratë”, thotë ai me mirënjohje dhe buzëqeshje.

FJALË FALËNDERIMI QË NUK MATEN

Në fund, fjalët e tij janë modeste, por jashtëzakonisht të fuqishme.

“Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq është mjeku më i mirë. Duhet të jemi mirënjohës që një njeri i tillë ndodhet në vendin tonë. Ai shpëton jetë dhe lufton për shëndetin e pacientëve jo vetëm me dituri, por edhe me zemër”, thotë Bllazhe.

Rrëfimi i Bllazhe Dimitrovskit nuk është vetëm një fitore personale. Ai është dëshmi e asaj që përfaqëson mjekësia bashkëkohore maqedonase, puna ekipore dhe kujdesi njerëzor. Një histori që frymëzon, inkurajon dhe rikujton se edhe kur shanset duken të vogla, jeta mund të triumfojë.

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.