Në Repartin e Neurokirurgjisë të Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” u krye me sukses një ndërhyrje e ndërlikuar, minimale invazive ekstirpim endoskopik transnazal transsfenoidal i një makroadenomë të hipofizës, duke përdorur sistemin e neuronavigacionit, tek një paciente 58-vjeçare.
Simptomat te Verka Andreevska filluan rreth gjysmë viti më parë, duke u shfaqur gradualisht me dobësim të shikimit, dhimbje të forta koke dhe vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit.
“Rreth pesë deri në gjashtë muaj më parë, fillova të vërej shenjat e para të sëmundjes, para se të vendosej diagnoza. Shikimi më dobësohej me shpejtësi dhe në fillim kërkova ndihmë në oftalmologji. Vizitova disa mjekë, por u konstatua se nuk bëhej fjalë për dioptri apo glaukomë. Simptomat përparuan – fillova të humbas ekuilibrin dhe të kem të vjella, ndaj menjëherë rezervova një termin për rezonancë magnetike të kokës. Të njëjtën ditë mora përgjigjen për gjendjen time – adenomë e hipofizës me përmasa të mëdha. Ishte një tronditje e madhe për mua dhe për familjen time. Menjëherë pas kësaj, vendosëm të kërkonim ndihmë te Prof. Dr. Sllobodan Damjanovski” rrëfen pacientja Verka Andreevska.(3).jpg)
Gjatë kontrollit ambulator, te Verka Andreevska u diagnostikua një makroadenomë e hipofizës – tumor beninj që zhvillohet në zonën e hipofizës, një gjëndër e vendosur në bazën e kafkës, e cila ka rol thelbësor në rregullimin e shumë funksioneve hormonale në organizëm.
“Në rastin konkret, tumori shkaktonte dhimbje të vazhdueshme koke dhe ndikonte në ngushtimin e fushës pamore – simptoma tipike që shfaqen kur adenoma bën presion mbi nervat optike. Pas ekzaminimeve të detajuara radiodiagnostike dhe analizave laboratorike, u vendos indikacioni për trajtim operativ,” shpjegon Prof. Dr. Sllobodan Damjanovski, specialist në neurokirurgji.
Pas vlerësimit të hollësishëm të gjendjes dhe analizave, ekipi mjekësor vendosi të kryejë një operacion urgjent.
“Për shkak të kompleksitetit të rastit, operacioni zgjati rreth pesë orë. Për gjendjen time të tanishme meritë të madhe kanë edhe Dr. Aleksandar Lazarevski dhe asistentja e neurokirurgjisë, Dr. Irena Llazareva. Kujdesi i tyre nuk përfundoi me operacionin dhe qëndrimin tim në ‘Acibadem Sistina’, por vazhdoi edhe pas daljes nga spitali – me kontrolle të rregullta mujore, ndjekje të gjendjes shëndetësore, të niveleve hormonale, të pamjes dhe të sinuseve. Falënderim i madh për të gjithë ekipin e spitalit, të cilët më shpëtuan dhe më dhuruan një jetë të re,” – tregon Verka Andreevska.(3).jpg)
TEKNIKË MODERNE DHE QASJE MINIMALE INVAZIVE
E gjithë ndërhyrja kirurgjikale u realizua në mënyrë ekipore, me qasje multidisiplinare dhe bashkëpunim të ngushtë me kolegët nga Reparti i Otorinolaringologjisë, për shkak të nevojës për orientim anatomik të saktë dhe navigacion të kujdesshëm gjatë procedurës.
“Ndërhyrja u krye me qasjen endoskopike transnazale transsfenoidale, që përfaqëson metodën më moderne dhe minimalisht invazive për trajtimin e këtij lloji tumoresh. Qasja deri te hipofiza realizohet përmes zgavrës së hundës dhe sinusit sfenoidal, pa pasur nevojë për kraniotomi klasike, pra pa hapje të kafkës. Gjatë procedurës u përdor edhe një sistem i avancuar neuronavigacioni, i cili mundëson orientim dhe kontroll tredimensional në kohë reale të strukturave anatomike. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë, zvogëlon rrezikun e komplikimeve dhe mundëson heqjen e plotë dhe precize të tumorit, duke ruajtur maksimalisht strukturat përreth,” shpjegon Prof. Dr. Sllobodan Damjanovski.
Pas operacionit, që në ditët e para u vu re një përmirësim i dukshëm i shikimit te pacientja, ndërsa më vonë u arrit normalizim i plotë i fushës pamore.
QASJE MULTIDISIPLINARE NË NEUROKIRURGJINË MODERNE
Prof. Dr. Sllobodan Damjanovski shpjegon se ky rast është një shembull i shkëlqyer i asaj se si neurokirurgjia moderne, në bashkëpunim multidisiplinar dhe me përdorimin e teknologjisë më të re, mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme – me rrezik minimal dhe shërim të shpejtë të pacientit.(2).jpg)
Pacientja Verka Andreevska tregon se tani ndihet shumë mirë dhe po kthehet gradualisht, por me siguri, në detyrat e përditshme.
Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.