Në Departamentin e Kirurgjisë së Fëmijëve, në kuadër të spitalit klinik “Acibadem Sistina”, kryhet një gamë e gjerë ndërhyrjesh në moshën pediatrike – kirurgji e përgjithshme, kirurgji abdominale, kirurgji neonatale (për të porsalindurit), urologji, kirurgji onkologjike, traumatologji, kirurgji torakale, kirurgji plastike dhe kirurgji minimale invazive. Doc. Dr. Risto Simeonov, specialist në kirurgji pediatrike, thotë se problemet më të zakonshme në moshën pediatrike që kërkojnë trajtim kirurgjikal janë hernia dhe testikujt e pazbritur, ndërsa nga gjendjet akute, inflamacioni i apendiksit.
Që nga fillimi i muajit nëntor, "Acibadem Sistina" ofron ulje nga 20 deri në 30% në çmimet e katër ndërhyrjeve më të zakonshme kirurgjikale në moshën pediatrike, si: hipospadia, testikulli i pazbritur, hernia dhe cirkumcisioni.
"Në spitalin tonë, këto lloje operacionesh janë ndërhyrje rutine. Avantazhi i spitalit tonë është se pacientët kanë mundësi ta bëjnë diagnostikimin e plotë brenda një dite, gjë që mundëson përgatitjen e shpejtë dhe kryerjen e operacionit në kohën më të shkurtër të mundshme," thotë Dr. Simeonov.
HIPOSPADIA
Hipospadia është një nga anomalitë kongjenitale më të zakonshme të sistemit urogjenital tek djemtë, me një incidencë prej 1 në 125. Te këta fëmijë, hapja e kanalit urinar (uretrës) zhvillohet në mënyrë jonormale, pra poshtë majës së penisit deri te skrotumi. Kjo gjendje trajtohet me ndërhyrje kirurgjikale kur fëmija është ndërmjet moshës 12 deri në 18 muajsh.
HERNIET
Ndërhyrjet kirurgjikale për herniet kongjenitale janë ndër ndërhyrjet më të zakonshme kirurgjikale në moshën pediatrike. Ekzistojnë lloje të ndryshme herniesh, por më së shpeshti shfaqet hernia inguinale. Gjithashtu, mund të shfaqen hernia umbilikale dhe hernia supraumbilikale (përreth kërthizës dhe mbi kërthizë). Herniet kongjenitale krijohen për shkak të mosmbylljes së unazës inguinale, e cila zakonisht mbyllet para lindjes së fëmijës. Sipas statistikave, kjo gjendje është më e zakonshme tek djemtë dhe tek fëmijët e lindur para kohe. Hernia trajtohet me anë të ndërhyrjes kirurgjikale dhe është më mirë që kjo ndërhyrje operative të kryhet ndërmjet muajit të tretë dhe të gjashtë të jetës, sepse nëse bllokohet, mund të jetë kërcënuese për jetën.
TESTIKUJT E PAZBRITUR- KRIPTORHIZMI
Testikujt e pazbritur janë një anomali e zakonshme kongjenitale tek djemtë, kur mungon testikulli në qesen skrotale. Kjo do të thotë se testikulli nuk ndodhet në qesen skrotale, që është lëkura poshtë penisit, por është ndodhur diku në kanalin inguinal. Së pari, testikulli duhet të gjendet dhe të vendoset në qesen skrotale. Nëse testikulli mungon, kryhet eksplorimi i kanalit inguinal për të vlerësuar nëse ka mbetje të indit testikular dhe, nëse ky ind është jo cilësor, ai hiqet. Mosha më ideale për operacion është midis muajit të gjashtë të jetës dhe vitit të parë, dhe më së voni deri në vitin e dytë.
SYNETIA (circumcisioni)
Synetia (circumcisioni) është heqja e pjesshme ose e plotë e lëkurës së penisit dhe është një nga ndërhyrjet më të zakonshme tek popullata mashkullore. Kjo ndërhyrje kryhet për trajtimin e gjendjeve mjekësore, siç janë fimoza dhe parafimoza, por sot, në kohët e reja, gjithashtu kryhet për arsye higjienike dhe estetike. Po ashtu, në shumë shtete të botës, ajo kryhet edhe për arsye fetare.