KONTROLLE GJITHËPËRFSHIRËSE DHE VLERËSIM I PLOTË SHËNDETËSOR BRENDA NJË DITE – PAKETA TË REJA CHECK-UP

Eksperienca e pacientëve

KONTROLLE GJITHËPËRFSHIRËSE DHE VLERËSIM I PLOTË SHËNDETËSOR BRENDA NJË DITE – PAKETA TË REJA CHECK-UP

10.08.2026

Në kuadër të Departamentit të specializuar për kontrolle parandaluese – Check-up, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” ofron paketa të plota shëndetësore për burra dhe gra, të krijuara për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësore, identifikimin e hershëm të faktorëve të rrezikut dhe ruajtjen e shëndetit. Paketat përfshijnë analiza laboratorike, kontrolle specialistike dhe ekzaminime diagnostikuese, të cilat mundësojnë një pasqyrë të detajuar të gjendjes shëndetësore. Në varësi të gjinisë, programet plotësohen edhe me ekzaminime specifike skriningu, me fokus në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve që prekin më shpesh burrat dhe gratë.

Sipas Dr. Aleksandar Stanimiroviq nga Departamenti të specializuar për kontrolle parandaluese – Check-up kontrollet parandaluese kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi mundësojnë zbulimin në kohë të ndryshimeve në organizëm dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e shëndetit.

“Në varësi të rezultateve, japim rekomandime për ndryshimin e stilit të jetesës, zakoneve dhe mënyrës së të ushqyerit, me qëllim përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Prandaj rekomandojmë që kontrollet parandaluese të kryhen të paktën një herë në vit edhe tek personat që nuk kanë probleme shëndetësore. Analizat e plota laboratorike janë pjesë e detyrueshme e të gjitha paketave dhe përbëjnë bazën për një vlerësim të plotë të shëndetit”, thotë Dr. Stanimiroviq.

BASKETBOLLISTI VOJDAN STOJANOVSKI: SHËNDETI DUHET TË KONTROLLOHET RREGULLISHT

Sportisti profesionist Vojdan Stojanovski vendosi të kryejë paketën e artë për meshkuj, duke theksuar se kontrollet e rregullta parandaluese janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit.

“Në sportin profesionional, përgatitja fizike është thelbësore, por po aq e rëndësishme është edhe ndjekja e rregullt e gjendjes shëndetësore. Prandaj vendosa të kryej një paketë gjithëpërfshirëse parandaluese check-up, e cila përfshin të gjitha kontrollet dhe analizat e nevojshme. Një përparësi e madhe është se i gjithë procesi realizohet brenda një dite dhe në një vend. Ekzaminimet e detajuara më dhanë një pasqyrë të qartë dhe të plotë për shëndetin tim, si dhe sigurinë se jam i përgatitur për të gjitha sfidat sportive. Besoj se kontrolle të tilla duhet të bëhen zakon për secilin prej nesh, jo vetëm kur kemi ndonjë problem, por edhe kur ndihemi të shëndetshëm”, thotë Stojanovski.

EKZAMINIME SKRININGU PËR ZBULIMIN NË KOHË TË SËMUNDJEVE NË PAKETËN E ARTË PËR MESHKUJ

Paketat përfshijnë gjithashtu ekzaminime të rëndësishme specialistike, si kontrolli endokrinologjik dhe urologjik, si dhe ekzaminimi ekografik i gjëndrës tiroide. Sipas mjekëve, këto kontrolle kanë rëndësi të veçantë për zbulimin e hershëm të çrregullimeve hormonale, sëmundjeve të traktit urinar te meshkujt dhe ndryshimeve në funksionimin e gjëndrës tiroide. Sipas Dr. Nadica Bozhinovska-Dimova, specialiste e endokrinologjisë, sistemi endokrin përbëhet nga një rrjet kompleks gjëndrash që prodhojnë hormone të ndryshme, të cilat veprojnë si mesazherë kimikë dhe ndihmojnë në rregullimin e shumë funksioneve të rëndësishme të organizmit. Endokrinologjia zë një vend të veçantë në mjekësi, pasi merret me studimin e hormoneve dhe funksionimin e sistemit endokrin, të cilët ndikojnë në shumë procese të rëndësishme të organizmit. Ajo përfshin një gamë të gjerë aspektesh shëndetësore, nga humori dhe mënyra se si trupi reagon ndaj stresit, deri te proceset më të ndërlikuara të metabolizmit.

“Hormonet luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e shëndetit tonë. Çdo çekuilibër hormonal mund të ndikojë në funksionimin normal të organizmit dhe të shkaktojë probleme të ndryshme shëndetësore. Ndër çrregullimet endokrinologjike më të shpeshta janë sëmundjet e gjëndrës tiroide, diabeti, çrregullimet e hormoneve seksuale dhe ndryshimet metabolike. Zbulimi i hershëm i këtyre çrregullimeve është shumë i rëndësishëm për ruajtjen afatgjatë të cilësisë së jetës. Shumë gjendje endokrinologjike mund të parandalohen ose të mbahen nën kontroll nëse diagnostikohen në kohë, përpara se të fillojnë të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin dhe jetën e përditshme. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta parandaluese janë të rëndësishme për identifikimin dhe trajtimin në kohë të çekuilibrave hormonalë, para se ato të zhvillohen në sëmundje endokrinologjike”, thotë Dr. Bozhinovska-Dimova.

Dr. Biljana Crcareva, specialiste e mjekësisë nukleare, thekson se kontrolli i gjëndrës tiroide është një pjesë shumë e rëndësishme e ekzaminimeve parandaluese, veçanërisht duke pasur parasysh shpeshtësinë e sëmundjeve të tiroides në vendin tonë. Rëndësia e këtij kontrolli lidhet edhe me rolin thelbësor që gjëndra tiroide ka në rregullimin e metabolizmit, nivelit të energjisë dhe ekuilibrit hormonal në organizëm. Në kuadër të kontrolleve parandaluese kryhen analiza të gjakut për përcaktimin e niveleve të hormoneve T3, T4 dhe TSH, si dhe ekzaminim ekografik i gjëndrës tiroide. Ekografia mundëson zbulimin e hershëm të ndryshimeve strukturore, si nyjet apo zmadhimi i gjëndrës, përpara se ato të shkaktojnë komplikime më serioze, përfshirë edhe ndryshime malinje të tiroides.

 “Çrregullimet e gjëndrës tiroide shpesh zhvillohen në mënyrë graduale, ndërsa simptomat mund të jenë të lehta, të kalojnë pa u vërejtur ose të ngatërrohen me lodhjen dhe stresin e përditshëm. Diagnostikimi i hershëm i gjendjeve si hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi mundëson trajtim në kohë dhe ndihmon në parandalimin e komplikimeve. Nëse nuk trajtohen, çrregullimet e tiroides mund të lidhen me probleme kardiovaskulare, vështirësi me fertilitetin, ndryshime në peshën trupore dhe komplikime të tjera shëndetësore. Kontrolli i rregullt është veçanërisht i rëndësishëm për gratë gjatë planifikimit të shtatzënisë, gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e menopauzës”, thotë Dr. Crcareva.

Kontrolli urologjik është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e vlerësimit të përgjithshëm të shëndetit, sidomos për meshkujt mbi moshën 40-vjeçare. Sipas Dr. Vladimir Lozanovski, specialist i urologjisë, ky ekzaminim ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjeve të traktit urinar, prostatës dhe sistemit riprodhues mashkullor, edhe kur simptomat mungojnë ose nuk janë të theksuara.

 “Kontrolli urologjik përfshin anamnezë të detajuar, ekzaminim fizik, ekografi të veshkave, fshikëzës urinare dhe prostatës, matjen e nivelit të PSA-së në gjak, si dhe analizën e urinës. Këto ekzaminime mundësojnë zbulimin e hershëm të gjendjeve të ndryshme, si hiperplazia beninje e prostatës, infeksionet urinare, gurët në traktin urinar dhe sëmundjet malinje në fazat e hershme.

Meshkujve mbi 40 vjeç u rekomandohet të kryejnë kontroll urologjik të paktën një herë në vit, ndërsa kontrollet mund të fillojnë edhe më herët në prani të simptomave ose të një historie familjare me sëmundje urologjike”, thotë Dr. Lozanovski.

CHECK-UP I PLOTË BRENDA NJË DITE

Kontrollet parandaluese janë pjesë e standardeve bashkëkohore të kujdesit shëndetësor dhe zbatohen gjerësisht në sistemet e avancuara shëndetësore. Në Departamentin për kontrolle parandaluese – Check-up të “Acibadem Sistina”, pacientët kanë mundësi t’i kryejnë të gjitha analizat dhe ekzaminimet e nevojshme brenda një dite.

Gjatë gjithë procesit, ata mbështeten nga një anëtar i specializuar i ekipit Check-up, i cili koordinon kontrollet dhe i shoqëron në çdo fazë të ekzaminimeve.

Në përfundim, pacientët marrin rezultatet e përmbledhura dhe raportin mjekësor në ambientet e Departamentit, të konceptuara për të ofruar rehati, organizim efikas dhe privatësi maksimale.

 

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.