Acibadem Sistina

PËR HERË TË PARË NË RAJON U REALIZUA NJË PROCEDURË KOMPLEKSE ENDOSKOPIKE (ECIRS) TEK NJË PACIENTE ME KALKULOZË MULTIPLE DHE ME VETËM NJË VESHKË FUNKSIONALE

06.05.2026

 Në Spitalin Klinik „Acibadem Sistina“, për herë të parë në rajon, është realizuar me sukses kirurgjia endoskopike e kombinuar intrarenale (ECIRS), një nga procedurat më moderne dhe më komplekse urologjike për trajtimin e kalkulozës koraliforme dhe multiple të veshkave. Ndërhyrja është kryer tek një paciente 58-vjeçare me vetëm një veshkë funksionale dhe me shumë gurë të lokalizuar në vende me qasje të vështirë. Ndërhyrjen e realizuan urologët Dr. Aleksandar Mickovski dhe Dr. Vlladimir Llozanovski, me mbështetjen e dy ekipeve të plota operative.

ECIRS paraqet një teknikë kirurgjikale shumë të specializuar që realizohet në një numër të vogël qendrash moderne dhe kërkon koordinim të jashtëzakonshëm, përvojë dhe punë ekipore.

“ECIRS është një teknikë hibride e avancuar, e cila kombinon nefrolitotominë perkutane (PCNL) dhe kirurgjinë retrograde intrarenale (RIRS/FURS), me qëllim arritjen e efikasitetit maksimal në trajtimin e gurëve kompleksë në veshka dhe përmirësimin e ndjeshëm të shkallës së eliminimit të plotë të gurëve (stone-free)”, shpjegon Dr. Aleksandar Mickovski, specialist i urologjisë.

Pacientja ishte pranuar në spital pas disa inflamacionesh të përsëritura të veshkës dhe disa hospitalizimeve në institucione të tjera, ku ishte trajtuar në mënyrë konservative. Me fillimin e këtij viti, gjendja e saj ishte përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa krizat ishin bërë më të shpeshta dhe më intensive.

“Tek pacientja kishte më shumë se 12 gurë të shpërndarë në pjesë të ndryshme të veshkës, në lokacione të vështira për qasje. Sfidë shtesë ishte fakti se bëhej fjalë për veshkën e saj të vetme, pasi tjetra ishte hequr më parë për shkak të një problemi të ngjashëm me kalkulozën renale. Me aplikimin e kësaj teknike moderne arritëm ta zgjidhim plotësisht problemin”, shton Dr. Aleksandar Mickovski, specialist i urologjisë.

Dr. Vlladimir Llozanovski thekson se qasja e dyfishtë në sistemin pielokaliceal mundëson vizualizim më të mirë, punksion më preciz dhe reduktim të nevojës për trakte të shumëfishta, si dhe trajtim të gurëve më të mëdhenj dhe të lokalizuar në vende me qasje të vështirë, gjë që e bën procedurën më të sigurt dhe më efikase për pacientin.

“Më së shpeshti përdoret pozicioni supin Valdivia i modifikuar sipas Galdakao-s, i cili mundëson qasje simultane pa nevojën për ripozicionimin e pacientit. Procedura përfshin qasje retrograde, punksion perkutan të veshkës të udhëhequr endoskopikisht, dilatim, litotripsi simultane dhe inspektim final”, thotë Dr. Vlladimir Llozanovski.

ECIRS sot konsiderohet si një nga qasjet më moderne dhe më efikase në trajtimin e nefrolitiazës komplekse, veçanërisht te gurët koraliformë, gurët multiple kaliceale, gurët më të mëdhenj se 2 centimetra, anatomia e pafavorshme e veshkës, trajtimet e mëparshme të pasuksesshme dhe anomalitë renale.

Me këtë ndërhyrje, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” edhe një herë konfirmon pozitën e tij udhëheqëse në zbatimin e praktikave më moderne mjekësore.

Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.