“17 marsi i vitit 2022 është një datë që do të mbetet përgjithmonë e skalitur në zemrën time. Ishte dita kur koha dukej sikur ishte ndalur për mua dhe çdo minutë zgjaste sa një përjetësi. Dita kur babai im, Zoranço Donçovski, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për zëvendësimin e valvulës së aortës me një protezë biologjike.”
Teksa babai im luftonte për jetën në sallën e operacionit, unë, si vajza e tij, po përjetoja orët më të vështira të jetës sime jashtë spitalit. Me lot në sy, frikë dhe mijëra lutje në zemër, përpiqesha të qëndroja e fortë. Por pasiguria ishte e padurueshme. Çdo minutë që kalonte sillte me vete një frikë të re, ndërsa në zemrën time kisha vetëm një dëshirë ta shihja sërish babain tim gjallë, t’ia dëgjoja zërin dhe ta përqafoja fort edhe një herë.
Në ato çaste kuptova sa e brishtë është jeta dhe sa e çmuar është prania e njerëzve që duam më shumë. Kuptova se ndonjëherë lumturia më e madhe nuk qëndron te gjërat e madhe, por te mundësia për ta përqafuar sërish njeriun pa të cilin nuk mund ta imagjinosh jetën.
Sot, me zemrën e plotë me mirënjohje, dëshiroj të shpreh respektin tim të thellë për Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq, njeriun të cilit iu besua ajo që për mua është më e çmuara – jeta e babait tim.”
Doktor Nikoliq, ju falënderoj nga zemra për aftësitë tuaja profesionale, përkushtimin dhe angazhimin që treguat gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, por edhe për kujdesin dhe vëmendjen që i kushtuat babait tim gjatë ditëve të rikuperimit të tij.
Qetësia, gatishmëria, durimi dhe mirësjellja juaj lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjarëve që ju besojnë njerëzit e tyre më të dashur. Por ajo që ju bën vërtet të veçantë nuk janë vetëm njohuritë dhe përvoja juaj mjekësore, por edhe humanizmi, ngrohtësia dhe kujdesi i sinqertë që tregoni ndaj pacientëve dhe familjeve të tyre.
Kur frika është më e fortë se fjalët dhe pasiguria pushton çdo mendim, një fjalë qetësuese, një vështrim i sinqertë dhe ndjenja se njeriu më i dashur është në duar të sigurta kanë një domethënie që vështirë mund të shprehet me fjalë.
Mirënjohje të sinqertë shpreh edhe për të gjithë ekipin e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”, për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mjekësor të Departamentit të Kardiokirurgjisë. Ju falënderoj për kujdesin e pakursyer, durimin, vëmendjen dhe ngrohtësinë njerëzore që treguat ndaj babait tim. Në ato ditë të mbushura me frikë dhe shpresë, çdo fjalë inkurajuese nga ana juaj, çdo buzëqeshje dhe çdo gjest mirësie kishin një rëndësi të paçmuar për ne.
Kur dikush e ndihmon babain tënd të vazhdojë historinë e jetës së tij, mirënjohja nuk mbetet më thjesht një fjalë. Ajo shndërrohet në një ndjenjë që e mbart thellë në zemër - përgjithmonë”, u shpreh Ana, vajza e pacientit.
Copyright © 2026 Developed by Unet All rights reserved.