Acibadem Sistina

NË LUFTËN E QUAJTUR JETË, LINDIN HERONJTË E VËRTETË

18.07.2025

LËNDIMET E RËNDA NUK I THYEN VULLNETIN E ERANDËS

Ndonjëherë, jeta mund të ndryshojë vetëm për një sekondë. Një çast është i mjaftueshëm për të shkatërruar gjithçka që kemi planifikuar, gjithçka që kemi ndërtuar. Por, gjithashtu, është mjaftueshëm edhe një rreze shprese, një vendim i vërtetë, një akt njerëzor për të ngjitur sërish lart. Historia e Erandës është pikërisht e tillë – e dhimbshme, por frymëzuese. Një histori për rënien, por edhe më shumë – për fuqinë për të u ngritur. Për dhimbjen, por edhe për përkushtimin e pakursyer të mjekëve që i dhuruan një shans të ri për jetë.
 
“Më 29 gusht të vitit të kaluar, jeta ime ndryshoi përgjithmonë. Përjetova një aksident të rëndë me makinë dhe pësova lëndime serioze trupore. Kalova 18 ditë në kujdes intensiv në spitalin e Prishtinës, isha intubuar për shkak të dëmtimit të mushkërive, brinjë të thyera në anën e majtë, klavikul i thyer, si dhe thyerje të legenit. Kishte edhe lëndime më të lehta, por këto ishin më serioze. Pastaj filloi një periudhë pasigurie, e mbushur me shumë pyetje, frikë, por edhe vendosmëri për të gjetur zgjidhjen më të mirë për gjendjen time. Unë dhe familja ime bëmë gjithçka që mundëm – bëmë hulumtim, konsultuam, kërkuam një vend ku mund të merrja trajtimin e duhur. Më 18 shtator morëm vendimin më të rëndësishëm, të vijmë këtu. Babai dhe vëllai im gjetën Prof. Dr. Jordan Saveski dhe Dr. Neda Trajkovska – dy mjekë të jashtëzakonshëm që punojnë si ekip dhe janë një nga ekspertët më të mirë në këtë fushë mjekësore. Edhe në bisedën e parë, ata pranuan rastin tim me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim. Profesionalizmi dhe qasja njerëzore na dhanë shpresë në një moment kur gjithçka dukej e vështirë dhe e pasigurt,” shpjegon Eranda.
 
“Kontakti i parë me familjen e Erandës ishte një javë para pranimit. Edhe atëherë ishte relativisht vonë për rindërtimin anatomik të legenit dhe sakrumit, dislokimi ishte i madh, megjithatë u dakorduam që ajo meriton çdo shans që ekziston për të mundur të lëvizë normalisht dhe të jetojë pa invaliditet. Në pranimin e saj në spital, pas ekzaminimit klinik dhe tomografisë kompjuterike, tashmë ishte e qartë se do të jetë një nga rastet më sfiduese në karrierën time të gjatë. Frakturat ishin në fazën e shërimit, ishte java e katërt pas lëndimit, nuk kishte mundësi për operacion në një akt, kishte rrezik për dëmtime neurologjike intraoperative, stabilizimi përfshinte edhe shtyllën kurrizore, pasi ishte një pacient i politraumatizuar... Bëmë një plan të detajuar për operacion në dy faza, i cili fatmirësisht rezultoi i suksesshëm. Një pjesë e madhe e suksesit është meritë personale e Erandës. Niveli i bashkëpunimit dhe mënyra si ajo përballej me sfidat dhe pengesat e përditshme, durimi dhe guximi janë për çdo respekt,” shpjegon Prof. Dr. Jordan Saveski, specialist në traumatologji.
 
Më 19 shtator u krye operacioni i parë – një ndërhyrje komplekse kirurgjikale në legen dhe sakrum, si dhe në klavikulën. Dhjetë ditë më vonë, më 29 shtator, ndodhi edhe operacioni i dytë, sërish në legen dhe sakrum, për rikonstruktim dhe stabilizim final. Eranda kaloi tri javë në spital, në një periudhë të mbushur me pasiguri, por edhe me shpresë. Edhe pse familja nuk mund të ishte vazhdimisht pranë saj fizikisht, ajo kurrë nuk u ndje e vetmuar. Përkundrazi, kujdesi, vëmendja dhe humanizmi që i dhanë mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi spitalor i dhanë ndjenjë ngrohtësie dhe siguri. Falë përkushtimit të tyre pa kursim, ajo ndihej e qetë dhe e relaksuar, sikur ishte rrethuar nga të dashurit e saj.
 
“Lëndimet në legen dhe sakrum tek Eranda ishin ndër më të rënda. Pati momente kur pyesja nëse do të mundeshim. Sidomos gjatë planifikimit të ndërhyrjeve kirurgjikale, jam mirënjohëse që kam mësuar dhe ende mësoj nga pionieri i kirurgjisë së legenit dhe acetabulumit, si dhe të shtyllës kurrizore në Ballkan, i njohur edhe në nivel botëror, Prof. Saveski. Lëndimet e tilla janë të rralla dhe kërkojnë ekspertizë. Për ta cituar atë: në politrauma, nëse doni të mbijetojë pacienti, anija duhet të ketë një kapiten. Nëse doni të marrësh më të mirën për pacientin, do të zgjedhësh atë që ka më shumë përvojë, atë që i sheh komplikimet para se të ndodhin. Eranda pati fatin të ketë një kapiten me përvojë të madhe, dhe unë, dr. Borislav Iliev dhe dr. Filip Vidoevski, më i riu në ekip, patëm fatin të marrim një leksion jetësor, një nga ato që mbahen mend, se pothuajse asgjë nuk është e pamundur. Suksesi kërkon dije, përvojë, koordinim, punë ekipore dhe këmbëngulje. Çmimi më i madh për ne është që sot, pas vetëm tetë muajsh, ajo ecën sërish stabil, me siguri dhe pa dhimbje. Lëviz normalisht dhe jeton jetën që meriton,” thotë Dr. Neda Trajkovska, specialiste në traumatologji.
Eranda thotë se sot ndihet mirë dhe falë përkushtimit pa kursim të ekipit mjekësor, ka rikthyer atë që ka më të çmuar – shëndetin e saj. Ajo ndan se para një muaji e gjysmë është kthyer në punë, diçka që në një moment i dukej larg dhe pothuajse e pamundur. Në kontrollin e fundit, doktori i tha me një buzëqeshje se është plotësisht në gjendje të vazhdojë jetën normale.
 
“Faleminderit nga zemra për gjithçka që keni bërë për mua. Pa ju, pa kujdesin, profesionalizmin, humanizmin dhe inkurajimin tuaj, ky udhëtim do të ishte shumë më i vështirë. Në çdo moment ndjeja se nuk jam vetëm, se pas meje qëndron një ekip që kujdeset, që beson dhe që lufton për shërimin tim,” përfundon Eranda.

Copyright © 2025 Developed by Unet All rights reserved.