fbpx

PAS HEQJES SË TUMORIT NË TRU, FILIP FITOI DY MEDALJE BRONZI NË NOT

10.12.2018

Frymëzon dhe zgjon emocione. Historia e katërmbëdhjetëvjeçarit Filip Petrovski, pa dilema, ngjall optimizëm dhe ndjenja. Vetëm dy muaj pas ndërhyrjes neurologjike, Filipi fitoi dy çmime prestigjioze në garën rajonale të notit në Sofje në disiplinën e notit duke notuar 50 metra në stil të lirë dhe not shpine. Ai mposhti frikën dhe realizoi ëndrrën e tij. Sëmundja e cila fatkeqësisht e preku atë që në fëmijëri, për fat të mirë pas intervenimit në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” nuk e ka shkatërruar ambicjen e tij.

Intenzivisht, dy herë në javë, është përgatitur me trajnerin e tij për konkursin në Sofje. Ai fitoi dy medalje bronzi, megjithatë, prindërit e tij janë më krenarë. Lufta ka zgjatur dhjetë vjet. Filipi kishte tumor në tru, tumor i cili u mënjanua para pesë vitesh. Megjithatë, problemi nuk përfundoi aty.

99% e mjekëve ishin skeptikë, por jo Dr. Llozançe

Sllobodanka Petrovska, nëna e Filipit, thotë se ëndrra e djalit të saj nuk do të ishte bërë realitet  pa mbështetjen e Spitalit klinik Acibadem Sistina dhe Prof. Dr. Kirill Llozançe, neurokirurg, i cili ka kryer operacionin e parë të Filipit. Përsëritja e tumorit që u mënjanua 5 vjet më parë, nxiti nevojën për një ndërhyrje të re neurokirurgjike. Prindërit nuk kishin burime të mjaftueshme financiare për kryerjen e operacionit, por Spitali klinik “Acibadem Sistina”, mori përsipër zgjidhjen e këtij problemi duke e realizuar operacionin pa asnjë kosto për ta.

“Jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Dua të them që të gjithë duhet të kemi besim tek mjekët tanë para se të vendosim të kërkojmë ndihmë jashtë Maqedonisë.  99 përqind e mjekëve që kemi konsultuar më parë ishin skeptikë për shëndetin e tij. Falenderime të përzemërta për Spitalin klinik “Acibadem Sistina”, veçanërisht për doktor  Kirill Llozançe, me të cilin kemi komunikim të shkëlqyer. Kjo ndërhyrje nuk do të kishte qenë e suksesshme pa të dhe pa pajisjet moderne që disponon ky spital i madh. Ne jemi shumë të kënaqur dhe tëpër mirënjohës për gjithçka që ata kanë bërë, na dhuruan gëzim dhe lumturi në jetë”, tha Sllobodanka nëna e Filipit.

Katëmbëdhjetëvjeçari tashmë është i pavarur, ai kryen vetë të gjitha detyrimet e tij të përditshme, edhe pse para dy muajsh ai nuk arrinte as të veshej vetë. Sllobodanka thotë se pas dhjetë vitesh Filipi u largua për herë të parë pa të,  në një udhëtim jashtë Maqedonisë.

Përdorimi i neuromonitoringut  për të ndjekur zonën operative

Nëna nuk e fsheh lumturinë e saj, tani ajo është punësuar dhe mund t’i përkushtohet plotësisht detyrimeve të saj. Filipi është shëruar me sukses dhe vullneti i tij për ta kapërcyer këtë sëmundje ishte tepër i madh.

Doktor Kirill Llozançe tha se operacioni i Filipit ishte një sfidë serioze, kryesisht për shkak të lokalizimit të veçantë të tumorit.

“E njihja gjendjen e Filipit, e njihja sepse e kam ndjekur rastin e tij 5 vjet më parë, kur bëra ndërhyrjen e  parë. Për fat të keq, tumori u përsërit dhe ishte e nevojshme që të kryhej kirurgjia në kokë. Në trajtim ishte i përfshirë ekipi multidisiplinar i cili përbëhej nga neurokirurgë, neurologë, anesteziologë dhe onkologë. Përsa i përket sigurisë së intervenimit një ndihmë e madhe ka qenë edhe përdorimi i neuromonitoringut, nëpërmjet të cilit ndiqet zona apo fusha në të cilën kryhet operacioni, duke mundësuar kështu shmangien e mundësisë së lëndimit të nervit gjatë ndërhyrjes. Operacioni përfundoi me sukses. ” shprehet Prof. Dr. Llozançe.

Filip tani po përballet me sfidat e tij, i përgatitur për sporte të reja dhe suksese në jetë. Jeta atij i ka treguar shumë fytyra, por më e rëndësishme është shpresa dhe vullneti. Ato janë të rëndësishme edhe për mjekët në spitalin klinik “Acibadem Sisitina” për të cilët kujdesi i pacientëve është në vend të parë.