fbpx

Implanti i zemrës së plotë artificiale, për herë të parë në Maqedoni

12.07.2018

Gjithsej në botë janë kryer 1.800 operacione të tilla, tashmë edhe vendi ynë ka hyrë në listën e 25 vendeve të botës në të cilat kryhet ndërhyrja më e vështirë dhe më e ndërlikuar në kirurgjinë kardiake, përveç vendeve të tjera si SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Turqia, Britania e Madhe, Italia.

Në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” në Shkup, është kryer implanti i parë i zemrës së plotë artificiale  në Maqedoni. Pacienti 46 vjeçarë nga qyteti i Shtipit, me një rast të jashtëzakonshëm të dobësimit të zemrës, pas kryerjes së operacionit, ndodhet në gjendje shëndetësore të mirë dhe të qëndrueshme.

Operacioni i cili zgjati më shumë se pesë orë e gjysëm dhe përfundoi gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së mërkurë, është kryer nga ekipi i spitalit “Acibadem Sistina” i udhëhequr nga kreu i departamentit kardiokirurgjik, Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq.

Me implantin e zemrës së plotë artificiale, si një operacion kompleks i kirurgjisë kardiake, Spitali klinik “Acibadem Sistina” është renditur në majën e spitaleve shëndetësore në botë të cilat kryejnë intervenime të zemrës me mbështetje mekanike. Në të njejtën kohë, ky është një hap tepër i madh për kardiokirurgjinë maqedonase, me anë të të cilit vendi ynë renditet në listën e vendeve të pakëta në botë të cilat kryejnë operacione të këtij lloji.

“Implanti i zemrës së plotë artificiale ishte zgjidhja e vetme për pacientin, i cili kishte një formë të theksuar të insuficiencës së zemrës, me 15 % kapacitet.

“Me implantin e zemrës së re, pacientit i’u dha një një mundësi e re  për jetën dhe gjashtë vite kohë për gjetjen e transplantimit të përshtatshëm. Gjatë intervenimit, u bë mënjanimi i plotë i zemrës së pacientit dhe e zëvendësuam atë me zemrën mekanike. Kjo ndërhyrje është zgjidhja më e mirë, veçanërisht tek pacientët tek të cilët insuficienca e zemrës është e pranishme në barkushen e majtë dhe të djathtë, dhe është një intervenim ndjeshmërisht kompleks, ndryshe nga ndërtimi i pompës artificiale LVAD, e cila jep mbështetje mekanike vetëm në barkushen e majtë të zemrës”, u shpreh Prof. Dr. Nikoliq.

Implanti i zemrës artificiale është ndërhyrja më e vështirë dhe më komplekse në kirurgjinë kardiake. Operacioni zgjati rreth pesë orë e gjysëm dhe me shumë gëzim mund të themi se gjithçka përfundoi me përsosshmëri. Pacienti është në gjendje shëndetësore të qëndrueshme, ai është i vetëdijshëm dhe kontaktet janë gjithashtu të mira. Ne jemi pozitivisht të befasuar nga shpejtësia e shërimit të tij, thotë kreu i ekipit, Prof. Dr. Nikoliq.

Ky është operacioni i parë në Maqedoni i implantit të zemrës artificiale, dhe i dyti në rajon pas vitit të kaluar në Institutin e sëmundjeve kardiovaskulare “Dedinje” në Beograd, gjithashtu i kryer nga Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq.

“Me implantin e zemrës së parë artificiale, “Acibadem Sistina” vazhdon të dëshmojë se është lider në prezantimin e ndërhyrjeve të reja. Për kryerjen e këtij intervenimi kirurgjik specifik, ekipi ynë i kardiokirurgëve iu nënshtrua një trajnimi profesional në Gjermani, trajnim i mbajtur nga ekspertët e kompanisë Syncardia, e cila është lider botëror në prodhimin e zemrës mekanike. Me anë të këtij edukimi, ekipi i kardiokirurgëve është ekipi i vetëm i çertifikuar për kryerjen e këtij intervenimi në Republikën e Maqedonisë. Gjithsej në botë janë kryer 1.800 operacione të tilla, ku tashmë edhe vendi ynë ka hyrë në listën e 25 vendeve të botës në të cilat kryhet ndërhyrja më e vështirë dhe më e ndërlikuar në kirurgjinë kardiake, përveç vendeve të tjera si SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Turqia, Britania e Madhe, Italia… “, u shpreh Dr. Jana Marin, drejtoresha e spitalit si dhe anëtare në bordin drejtues të Spitalit klinik “Acibadem Sistina”.

Në Spitalin klinik theksohet se në rast se nuk do të ishte kryer implanti i zemrës artificiale tek ky pacient, parashikimet për mbijetesën e tij do të reduktoheshin në disa ditë apo në disa javë. Ky operacion, pacientit do ti mundësojë një jetë të mirë dhe më të rehatshme gjatë 6 viteve të ardhshme, në mënyrë që të mund të presë për transplantimin e zemrës së donatorit.

Zemra artificiale ka madhësinë e zemrës natyrale. Funksionon me anë të një baterie, të cilën pacienti  pas daljes nga spitali, do ta mbajë  me vete në shpinë me anë të një çantë të veçantë e cila peshon gjashtë kilogram. Implanti i zemrës mekanike, është trend në kardiokirurgjinë botërore, për faktin se është gjithnjë dhe më vështirë gjatja e donatorit.