fbpx

Është shpëtuar jeta e gruas shtatzënë me tumor në zemër – nëna dhe foshnja janë mirë

19.12.2018

Ekipi kardiokirurgjik, gjinekologjik dhe pediatrik i Spitalit klinik “Acibadem Sistina” realizoi dy operacione, njëra pas tjetrës, tek pacientja e cila ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Pas përfundimit të lindjes me operacion, gjatë të cilës ardhja në jetë e foshnjes ishte e sigurtë, pacientes 34-vjeçare nga qyteti i Shkupit i është bërë mënjanimi i tumorit në zemër. Kjo është edhe një tjetër ndërhyrje në listën e intervenimeve operative  jashtëzakonisht të komplikuara të realizuara me sukses gjatë muajve të fundit, të cilat e renditin “Acibadem Sistina” jo vetëm në krye të sistemit shëndetësor  kombëtar por edhe ndër spitalet më të mirë në nivel global. Foshnja dhe nëna janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe sot ato kthehen në shtëpi.

Diagnostikimi i tumorit tek pacientja është bërë disa ditë më parë, gjatë një ekzaminimi rutinë, pasi pacientja është ankuar se kishte  vështirësi në frymëmarrje. Intervenimi ka përfunduar me sukses, tashmë nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore. Rastet në të cilat është i nevojshëm realizimi i njëhershëm i dy intervenimeve të cilat konsiderohen  të jenë intervenime serioze, janë tepër të rralla, ndërsa “Acibadem Sistina” është spitali i vetëm në rajon  i cili mund ti përgjigjet një sfide të tillë.

“Pasi u ankua për problemet që kishte me frymëmarrjen, vërejtëm se pacientja kishte sindromin e venës cava superior të shoqëruar me ënjtje të lehtë të venave në qafë dhe fytyrë. Gjatë kontrollit me ultratingull u zbulua një masë e madhe tumori në të gjithë anën e djathtë të atriumit, e cila shkaktonte pengesën e kalimit të gjakut nga atriumi i djathtë në barkushen e djathtë. Intervenimi u krye menjëherë për shkak se pacientja ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Menjëherë pas lindjes cezariane, kaloi në kryerjen e operacionit tjetër gjatë të cilit u menjanua tumori në zemër. Intervenimi zgjati gjashtë orë. Rastet në të cilat menjëherë pas përfundimit të lindjes cezariane vijon  një tjetër intervenim i vështirë, janë vërtetë të rralla, dhe me këtë kemi treguar edhe një herë se jemi ekipi më i mirë në rajon”, thotë Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq, shefi i departamentit të kardiokirurgjisë në “Acibadem Sistina”.

“Dr. Gordana Petrovska, shefe e departamentit të gjinekologjisë dhe obstetrikës në spital, theksoi se për shkak të gjendjes së ndërlikuar dhe mundësive për shfaqjen e komplikimeve, tek pacientja është realizuar lindja e parakohëshme dhe më pas intervenimi për mënjanimin e tumorit. “Fillimisht, ekipi i gjinekologëve realizoi lindjen cezariane, me qëllim që foshnja të mos jetë nën ndikimin e anestezisë gjatë kryerjes së operacionit në zemër. Foshnja është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe nuk ka nevojë për terapi. Nëse nuk do të ishte vepruar në këtë mënyrë, pasojat mund të kishin qenë fatale. Mund të kishte ndodhur që tek nëna dhe foshnja të mungonte oksigjeni i mjaftueshëm gjatë momentit të lindjes, ose gjatë përpjekjeve të nënës të shkëputej një pjesë të tumorit dhe të mos mund të mbijetonin! “thotë Dr. Petrovska.

Tumori në atriumin e zemrës është një sëmundje shumë e rrallë. Nga “Acibadem Sistina” shprehen se janë krenarë që në këtë mënyrë është shpëtuar jeta e nënës së re dhe ajo e foshnjës së saj.