fbpx

Dhuruat gëzim dhe lumturi në jetët tona

28.06.2017

Rrugëtimi ynë dhe dëshira për të pasur trashëgimtar lindi që para 5 vitesh, kur lindi Paolo, gëzimi ynë i parë dhe kurora e dashurisë tonë. Por, fatkeqësisht, ky gëzim u shndërrua në një mjerim të pafund. Tre ditë më vonë Paolo ndërroi jetë për shkak të një distresi respirativ. Në atë moment e humba plotësisht kuptimin e jetës, deri pas një viti e gjysëm, në momentin kur në jetë erdhi Aritoni. Përsëri lindje me prerje cezariane në javën e 32 të shtatzënisë, dhe përsëri filluam me luftën tonë e cila zgjati më shumë se dy muaj, dhe në fund rezultoi me lajmin se tashmë e kishim humbur edhe Aritonin. E gjithë bota na u shëmb përsipër, dhe e humbëm vullnetin dhe dëshirën për të jetuar. Tashmë, gjëja e fundit që dëshiroja ishte të bëhesha nënë, nuk dëshiroja të shikoja më fëmijë dhe urreja çdo grua shtatzënë që shikoja në rrugë, për një arsye shumë të thjeshtë dhe të qartë, se momentet e bukura në jetë, për mua ishin shndërruar në një ferr të vërtetë.

Përsëri shtatzënë dhe përsëri trishtim, këtë herë abort spontan. Tashmë isha mësuar që të më ndodhnin vetëm gjëra të këqija. Mbeta shtatzënë për herë të katërt. I thashë vetes tani bëhu gati ta humbasësh edhe këtë fëmijë. Por, mikesha ime e dashur e cila është pjesë e familjes time, Mia Kostovska, më këshilloi që të hapja një faqe të re në jetë, dhe më dërgoi në duart më të sigurta në mbarë botën. Kjo ndodhi kur takova shpëtimtarin tim, Dr. Sllobodan Drakulevskin.

Dr. Drakulevski më premtoi se nga spitali do të largohesha me fëmijë, dhe vërtetë kështu ndodhi

Nga ai moment nisi një histori krejtësisht ndryshe. Dr. Drakulevski së bashku me infermieren Aneta, ishin familja jonë, e përditshmja jonë. Çdo ditë e kisha “mbytur” infermieren Aneta me anë të telefonatave të mia. Jeta ima përgjatë 29 javësh kishte një lidhje shtrat – “Acibadem Sistina” – shtrat. Në javën e 29 Roman filloi të shfaq probleme, dhe Dr. Sllobodan Drakulevski vendosi lindje urgjente cezariane me datë 21.02.2015. Romani lindi me peshë trupore 1690 gram dhe me gjatësi 43 cm. Këtë herë isha e sigurtë se ndodhesha në duar të sigurta, dhe se gjithçka do të shkonte mirë. I gjithë ekipi në spital më dha një siguri dhe shpresë të pabesueshme, si dhe Dr. Drakulevski gjatë gjithë kohës me inkurajonte, duke më thënë se unë këtë herë do të largohesha nga spitali me bebe në krahët e mi.

Shpëtimtari i ri Dr. Dushko Fidanovski

Me ardhjen në jetë të Romanit, u shfaq edhe një shpëtimtar i ri, Dr. Dushko Fidanovski dhe ëngjëjt e kujdesit intenziv neonatal. Plot një muaj u kujdesën për Romanin. Ngrohtësia e tyre më zëvendësonte mua, atëherë kur nuk ndodhesha pranë tij. Fillimisht të gjithë të rezervuar për shkak të historisë time spitalore. Por unë kisha tepër besim tek Dr. Fidanovski, dhe tek i gjithë ekipi i doktorëve në departamentin e kujdesit intenziv neonatal. Para së gjithash besonim në ngrohtësinë dhe kujdesin e infermiereve Snezhana, Suze, Tina, Vesna, Elena, Daniela, Stojanka, Milena, Martina i Tina. Ju dua pafund dhe në mënyrë të barabartë që me altruizëm i keni dhuruar dashuri prej nëne Romanit tim, atëherë kur unë nuk ndodhesha pranë tij.

“Acibadem Sistina” bëri ëndrrën tonë realitet!

Ditën kur Dr. Fidanovski na dha lajmin se tashmë Romani mund të kthehej në shtëpi së bashku me ne, kjo ishte një ditë feste për ne, por edhe e pabesueshme se tashmë ne do të ktheheshim në shtëpi me bebe në krahë. Kanë kaluar pothuajse dy vjet, “Acibadem Sistina” mbetet shtëpia jonë e dytë, spitali i cili bëri ëndrrën tonë realitet. Dr. Drakulevski dhe Dr. Fidanovski për ne kanë një vlerë të paçmuar. Jeta jonë pa ta nuk do të kishte qenë e njejtë. Ata i dhuruan jetës tonë lumturi dhe gëzim të madh. Tani që po e shkruaj këtë letër, përsëri më rridhin lotë, por këtë herë bëhet fjalë për lotë gëzimi. Romanin përsëri e pret një luftë. Duhet të operojë ciste bronkiale të cilat i ka që nga lindja. Por ne besojmë se përsëri do ta fitojmë betejën.

“Acibadem Sistina” faleminderit që ekziston!

Ivana dhe Dejan Leshkaroski